Bashkimi Evropian ka caktuar të martën e 17 dhjetorit si datë takimi në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.
Kjo është konfirmuar nga këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, ndërsa nuk ka bërë të ditur nëse do të ketë një takim tre palësh.
“Takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut do të zhvillohen me 17 dhjetor”, tha Kadiu për media.
Takimi i fundit në Bruksel ishte ai i 24 tetorit, mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryenegociatori Besnik Bislimi kishte thënë se rezultoi pa sukses për gjetjen e mënyrave për zbatimin e marrëveshjeve në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se Bislimi në takim kishte përmendur nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiq nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës.
Sipas Qeverisë, në takimin bilateral ishin trajtuar një mori temash, ndërsa në takimin trilateral, temë e diskutimit ishte e paraparë sipas agjendës rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.
Për takimin e 24 tetorit, emisari sllovak, Miroslav Lajçak kishte thënë se “nuk pati hapa përpara drejt zbatimit të Marrëveshjes”, por që ishte “optimist për disa çështje të tjera”./Njeshi/