Ka vazhduar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës. Pas dakordimit të të gjitha palëve, si mbrojtjes, prokurorisë dhe përfaqësuesit të dëshmitarëve, në sallën e gjyqit është sjellë dëshmitari i parë i mbrojtur.
Gjyqtarja e njoftoi dëshmitarin e mbrojtur se atij nuk do t’i përmendet emri, se i ndryshohet zëri në transmetim dhe nuk do t’i shihet fytyra.
Gjyqtarja sqaroi se kur do të flitet për detaje që mund të zbulojnë identitetin e tij, atëherë do të kalohet në seancë private.
“Transmetimi përcillet me vonesë dhe në rast se flitet diçka që mund të zbulojnë identitetin tuaj, atëherë ajo mund të hieqet, përfshirë edhe transkriptin”, tha gjyqtarja.
Pas shpjegimit të procedurave, dëshmitari dha edhe betimin e tij se do të thotë vetëm të vërtetën.
Më pas, prokurori filloi ta marrë dëshmitarin në pyetje, por paraprakisht, kërkoi menjëherë të kalohet në seancë private, për të verifikuar të dhënat personale të dëshmitarit.
Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.
Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.