0.4 C
Pec
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Me lot e këngë përcjellet për në banesën e fundit Hivzi Krasniqi (fotot)

Qindra qytetarë, njerëz të medias, pjesëtar të estradës kosovare, përfaqësues të komunitetit sportive, bashkëpunëtorë e miq i dhanë lamtumirën e fundit, në varrezat e qytetit në Pejë, Hivzi Krasniqit, doajenit të gazetarisë shqiptare, një prej zërave të parë të radiofonisë kosovare dhe autor i më se njëmijë tekstesh të këngëve hit.

Në emër të komunitetit muzikor e medial të Pejës, Hivziun e kujtoj miku dhe bashkëpunëtori i tij nga ‘Radio 1’, Fitim Behluli.

“Nuk e ka menduar askush nga ne, se në një ditë sikur kjo, duhet ta nxjerrim letrën dhe lapsin e të shkruajmë për ty. Për ty që mijëra fjalë i stolise në letër gjatë jetës, duke i kthyer në vargje e këngë. Jeta jote ishte varg, ishte këngë. Për ty që ike ashtu siç edhe jetove. Edhe sot po ikën bukur maestro. Po i kthehesh Pejës tënde që aq shumë vargje i fale. Do ti mungosh edhe rrugicave të këtij qyteti që i dhe emër. U mbajte trim deri në çastet e fundit, edhe pse, as ne e as ti nuk e prisnim këtë ndarje. Na fal që nuk ta kemi ditur ndoshta vlerën deri sa të kishim. Por ti mbetesh i madh dhe na kupton, ti kishe zemër të madhe. Të tillë jemi nganjëherë i shoqëri. Sot po ndahemi nga ty mjeshtër, ndërsa ti po bashkohesh me shokët që i rrite e i ngrite. Të presin në qiell miqtë e tu Ibrahim Krajkova – Leci, Fitim Domi, Fadil Vokrri, Agim Binaku, Ekrem Turjaka, Mana, Shuajb Nallbani e të tjerë.”-tha Behluli.

Fjalë rasti në emër të komunitetit artistik dhe muzikor mbajti edhe krijuesi i njohur shqiptar, kryetari i APIK-ut, Florent Boshnjaku. Boshnjaku e kujtoj Hivziun me vargjet e tij.

“Nuk ishe vetëm prind i fëmijëve tu Hivzi. Ishe dhe prindi ynë në estradë. Hivziu sot vetëm fizikisht po ndahet me neve, por duke lënë vepra dhe art të madh. Me Hivziun e kemi punuar një nga këngët e shumta e që titullohet ‘Edhe një mijë vjet’, Hivzi, sot pot ë themi lamtumirë por kujtimi do të jetoj edhe një mijë vjet.”- tha Boshnjaku.

Një kurorë lulesh në mesin e dhjetëra sosh në nderim të jetës, veprës dhe artit të Hivziut erdhi edhe nga kryeministria, respektivisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj. Nderuan pranë varrit edhe stafi i RTK-së, i RTV 21, ai i ‘Radio 1’, të cilës këto ditë pritej ti bashkohej i ndjeri si dhe shoqëritë më të vjetra të qytetit të Pejës, ‘Sofra Pejane’, ‘Përparimi’ dhe ‘Marigona’.

Në pamundësi që të marrin pjesë për shkak të mosprezencës së tyre në Kosovë, telegrame ngushëlluese dhe kurora lulesh të freskëta dërguan këngëtarët e njohur Ramadan Krasniqi-Dani, Sinan Vllasaliu, Nysret Muçiqi, kompozitori dhe ish-ministri i kulturës, prof. Valton Beqiri dhe personalitete e grupe të tjera të njohura.

Për në banesën e fundit, Hivzi Krasniqin e përcolli kënga mortore ‘Po vet nana…’, për çka u përkujdesë kori profesional ‘Siparantum’ nën udhëheqje të dirigjentit të njohur prof. Memli Kelmendit. /Njeshi/

]]>
- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...