Më pak se 20 për qind e pronave në Kosovë janë të regjistruar në emër të grave. Nga 625 mijë prona të regjistruara në Kosovë, vetëm 126 mijë janë gra.
Gjendja aktuale e të drejtave pronësore të grave, sipas Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, nuk është e mirë.
“Qëllimi i mbajtjes së kësaj tryeze është të shohim se sa po gjen zbatim ligji dhe se po arrijnë gratë të gëzojnë të drejtat në pronë. Gjendja aktuale sipas statistikave nuk është e mirë. Më pak se 20 për qind të grave kanë të regjistruar pronat në emër të tyre”, tha Qelaj.
Ai shtoi se problematik është edhe ndarja e pasurisë bazuar në vlerësimin e kontributeve.
Në tryezën e diskutimit me temë “Të drejtat pronësore të grave: Korniza ligjore, teoria dhe praktika, Xhevat Azemi i cili është ekspert ligjor foli për numrin e grave që kanë pronat në emër të tyre.
“Gjendja nuk është shumë e favorshme. Nga të dhënat e Agjencisë Kadastrale të Kosovës në Kosovë janë të regjistruar 625 mijë pronarë te regjistruar, prej tyre 126 mijë janë femra”, tha ai.
Profesori në Universitetin e Prishtinës, Abdulla Aliu tha se është detyrë e shtetit qe gruaja të gëzojë pronën e saj. /Njeshi/