5.5 C
Pec
E diel, 21 Prill, 2024

Me tensione e përplasje përkujtohet masakra serbe në rrugën e Kovaçëve

Njëzet vjetori i masakrës në rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë, është shënuar sot me tensione e përplasje verbale në mes të familjarëve të viktimave dhe përfaqësuesve komunalë.

Familjarët përveç përfaqësuesve të të pagjeturve, nuk lejuan përfaqësuesit e komunës të vënë lule dhe të bëjnë homazhe te pllaka përkujtimore me emrat e viktimave të cilët u vranë 20 vite më parë nga ana e forcave serbe.

Ata kundërshtuan mbjelljen me bari të rrethuar me pllaka betoni pranë emrave të viktimave që është bërë nga ana e komunës, duke kërkuar një obelisk ose përmendore më të dinjitetshme për viktimat.

Familjarët po ashtu akuzuan pushtetin lokal se s’ka bërë asgjë deri tash për të vrarët e kësaj masakre.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, duke e quajtur ditën e sotme si datë trishtimi, tha se kjo ishte masakra më e madhe brenda qytetit të Mitrovicës ndaj popullatës së pafajshme shqiptare.

Ai shprehu keqardhje që së bashku me bashkëpunëtorët e tij nuk arriti t’i nderojë viktimat në këtë përvjetor, duke thënë se e kupton reagimin e familjarëve.       

Sipas tij, komuna ka pasur në plan që së bashku me banorët e lagjes ta gjejnë një zgjidhje ideore të cilën pastaj do ta implementonin, por banorët nuk janë lajmëruar për një gjë të tillë.

Ai ka përsëritur si të kuptueshme frustrimin e familjarëve, në të cilën siç u shpreh, ka ndikuar edhe drejtësia, e cila edhe pas 20 viteve fajtorët e kësaj masakre nuk i ka gjetur dhe dënuar.

Fisnik Sejdiu, njëri prej familjarëve të viktimave, duke kundërshtuar mbjelljen e barit para pllakës me emrat e viktimave, tha se ky është një turp nga ana e komunës.

Ai ka potencuar se familjarët duhet të nderohen çdo ditë nga pushteti e jo vetëm më 14 prill, ngase falë këtyre martirëve, por edhe të tjerëve, Kosova sot gëzon lirinë.

Edhe Shadije Pllana-Hoti, e cila ka humbur në këtë masakër bashkëshortin dhe dy vëllezërit, u shpreh e pakënaqur me përkujdesjen institucionale ndaj viktimave, por edhe familjarëve të tyre.

Hoti ka porositur përfaqësuesit komunalë të mos vinë më kurrë në këtë vend, sepse siç tha ajo, ata nuk ndiejnë, por vinë vetëm sa për sy e faqe./KSP/Njeshi

]]>
- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...