Eco KosWomen, në bashkëpunim me Caritas-in Zviceran dhe me financim nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim, ka organizuar një event me qëllim vetëdijësimin për përfshirjen gjinore dhe sociale.
Ky aktivitet është pjesë e projektit EREA dhe synon të promovojë rolin e grave në shoqëri, duke nxitur ndryshime pozitive që kontribuojnë në fuqizimin ekonomik të grave dhe avancimin e barazisë gjinore në Kosovë.
Mesazhet e shpalosura në këtë event do të promovohen në të gjitha komunat e Kosovës dhe një nga vendet mikpritëse të saj është edhe Peja.
Ato janë vendosur para Komunës së Pejës dhe pranë Drejtorisë së Kulturës dhe në ditët në vazhdim do të gjinden edhe në sheshet e këtij qyteti, me qëllim për të përkrahur gratë në fusha të ndryshme, si agrobiznesi dhe bujqësia.
Drejtori i Bujqësisë në Pejë, Tahir Shala, për Telegrafin ka thënë se këto nisma janë të mirëpritura, duke theksuar se Komuna e Pejës ka një grup aktiv të grave që merren me bletari, pemëtari dhe përpunim të produkteve bujqësore.
Ai ka nënvizuar se gratë kanë përfituar grante deri në 10 mijë euro për të mbështetur këto veprimtari.
“Ne si komunë e kemi një grup shumë aktiv të grave fermere, të fokusuara kryesisht në bletari, pemëtari dhe përpunim të produkteve bujqësore. Janë rreth 30 gra që kanë marrë mbështetje me grante nga 5 deri në 10 mijë euro, varësisht nga veprimtaria që kanë zhvilluar”, ka thënë Shala .
Sipas tij, interesi dhe vetëdijësimi i grave për të marrë pjesë në bujqësi është në rritje, duke shfaqur një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e kësaj fushe në Pejë/Njeshi&Telegrafi/