25.6 C
Pec
E martë, 15 Korrik, 2025

Minatorët e Kishnicës me paga të përgjysmuara: Na ndëshkuan për shkak të grevës

Fatin e njëjtë me punëtorët e Artanës e kanë pësuar edhe flotistët e Kishnicës. Pas një jave nga përgjysmimi i pagave në minierën e Artanës, e njëjta masë është aplikuar edhe ndaj punëtorëve të Kishnicës, të cilët tashmë kanë marrë pagat e tyre me shuma të reduktuara.

“Na kanë ndëshkuar si Artanën. Disa kanë marrë 200 euro më pak, disa 120. Normalisht jemi zhgënjy shumë,” deklaroi Xhevdet Zymeri nga Sindikata në Kishnicë.

Përveç vështirësive ekonomike, punëtorët po përballen edhe me një qasje të ashpër nga menaxhmenti i Trepçës, të cilin e konsiderojnë të padrejtë dhe represiv ndaj kërkesave minimale për pagë.

“Kjo është një padrejtësi shumë e madhe nga menaxhmenti i Trepçës. Punëtorët nuk kanë kërkuar kushte luksi, vetëm pagën që u takon”.

Përkundër reagimeve të punëtorëve, drejtori ekzekutiv i Trepçës, Faton Ahmeti, nuk ka dhënë asnjë koment lidhur me vendimin për përgjysmimin e pagave. Po ashtu, Qeveria e Kosovës dhe vet kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk kanë komentuar për situatën, duke lënë punëtorët pa asnjë përgjigje institucionale.

Ndërkohë, ekspertët ligjorë theksojnë se përgjysmimi i pagave është i ligjshëm vetëm në rast se punëtorët kanë qenë në grevë dhe për ditët që nuk kanë punuar.

“Sipas ligjit për greva, punëdhënësi ka të drejtë të bëjë zbritje vetëm për ditët e munguara për shkak të grevës. Çdo zbritje përtej kësaj është e kundërligjshme”, deklaroi avokati Azdren Bytyqi.

Rasti i Kishnicës po shton shqetësimet për mënyrën e trajtimit të punëtorëve në ndërmarrjet publike në Kosovë dhe nxjerr në pah mungesën e reagimit institucional për çështjet sociale dhe të drejtave të punëtorëve./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...