21 C
Pec
E premte, 23 Maj, 2025

Ministri italian i Sportit: Jemi gati ta mbështesim Kosovën për infrastrukturën sportive

Në bashkëpunim me Komitetin Organizativ të Lojërave të 20-ta Mesdhetare “Taranto 2026”, Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN), ka organizuar një seminar kushtuar ngjarjes sportive shumëdisiplinore të shumëpritur në qytetin jugor italian protagonist në vitin 2026.

Menjëherë pas Tarantos, edicioni i radhës i Lojërave Mesdhetare do të zhvillohet në Kosovë në vitin 2030, ngjarje kjo e cila kërkon organizim të mirëfilltë, por edhe investime të mëdha infrastrukturore dhe për ta bërë këtë mbështetjen për Kosovën e ka ofruar edhe ministri italian i Sportit, Andrea Abodi.

Ekskluzivisht për KosovaPress, ai ka thënë se Italia është e gatshme t’i ofrojë Kosovës mbështetje në aspektin e mënyrës dhe rrugës që duhet ndjekur për ndërtimin e infrastrukturës sportive për organizimin e Lojërave Mesdhetare.

“Së pari, urojmë që të mund të lëmë një trashëgimi pozitive që të mund të jetë mbështetëse për ju miqtë kosovarë. Protokollet organizativë të Taranto 2026, në bashkëpunim me Organizmin Ndërkombëtar shpresoj që të jenë të nevojshme edhe për vendin tuaj. Pastaj, jemi gati për të dhënë çdo mbështetje nga këndvështrimi i bashkëpunimit, pikërisht për eksperiencat infrastrukturore që po ndërtojmë që edhe për Kosovën kjo të jetë një mundësi e zhvillimit të qëndrueshëm”, ka thënë Abodi.

Ministri për Çështje Evropiane, PNRR dhe Politikat e Kohezionit Tommaso Foti, ka thënë për KosovaPress, se ndihma nuk do t’i mohohet askujt, e as Kosovës, por që, sipas tij, vendet që marrin përsipër organizime të tilla duhet t’i kenë kapacitetet e tyre.

“Ne nuk i kemi mohuar ndihmën askujt dhe nuk do t’ia mohojmë kurrë. Më duhet të them që sigurisht, kush merr angazhimin për të organizuar lojërat duhet të ketë edhe një kapacitet të vetin për të mund t’i bërë, sepse ndryshe bëhet e vështirë”, ka deklaruar Foti, shkruan KosovaPress.

E angazhim shumë më i madh nga shteti i Kosovës në përgatitjet për Lojërat Mesdhetare është kërkuar nga Massimo Ferrarese, president i Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026.”

Ferrarese për KosovaPress ka thënë se punimet për ndërtimin e impianteve sportive duhet të fillojnë sa më shpejt dhe bashkëpunimi ndërmjet politikës dhe shtëpive sportive të jetë sa më i ngushtë, pasi në të kundërtën rrezikohen vonesa që sjellin pasoja në mbarëvajtjen e kësaj ngjarje sportive.

Kosova fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030 para dy vjetësh dhe për këtë ngjarje sportive të rëndësishme janë zotuar 250 milionë euro investime në infrastrukturën sportive.

Seminari “Lojërat e 20-ta Mesdhetare Taranto 2026: Një trashëgimi e sportit, Qëndrueshmëria dhe Dialogu Multikulturor”, u mbajt në mjedisin piktoresk të Kalasë Aragonese brenda sallës së konferencave të ngritur në fshatin “IN Italia” në bordin e anijes “Amerigo Vespucci”.

Kujtojmë, Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN), e formuar më  1991 në Tunizia, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me agjenci të tjera të lajmeve, si EANA dhe ABNA-SEE, pjesë e të cilave është edhe Agjencia e Lajmeve KosovaPress. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...