Ministri i Bujqësisë, Faton Peci e ka shkarkuar këshilltarin e tij, Enis Osmani.
Arsye e këtij vendimi, është se Osmani është shpallur fajtor nga gjykata për falsifikim të rezultateve të votimit, për çka është dënuar me 1 mijë e 500 euro gjobë.
“Shumë shkurt, personi në fjalë nuk do të jetë pjesë e kabinetit prej muajit të ardhshëm”, ka thënë Peci para gazetarëve.
Më 24 janar të këtij viti, Gjykata Themelore në Mitrovicë e shpalli fajtor Enis Osmanin për “falsifikim të rezultateve të votimit” të vitit 2017.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 7 shkurt 2022 pati ngritur aktakuzë kundër Enis Osmanit, m arsyetimin se më 11 qershor 2017, rreth orës 19:00, në fshatin Bare – Mitrovicë, saktësisht në shkollën fillore “Xhevat Jusufi”, i pandehuri Enis Osmani në vendvotimin me numër 1115B/02D për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, në cilësinë e kryesuesit të këtij vendvotimi, duke keqpërdor pozitën, detyrën apo autorizimet e tij lidhur me zgjedhjet, ka shtuar dhe hequr votat kandidatëve brenda subjekteve politike. /Njeshi/