Ministria e Mbrojtjes, përmes një reagimi, i ka mohuar raportimet se nga ministri Ejup Maqedonci, ka pasur një refuzim të nënshkrimit për furnizim të ushqimit me operatorin e ri ekonomik për personelin e FSK-së.
Në njoftimin e tyre thuhet se një letër refuzimi nga Maqedonci, nuk i është dërguar kryeministrit të vendit, Albin Kurti.
Madje sipas tyre, tenderi është anuluar pasi njëri nga grupi i operatorëvë të shpallur fitues, ka dërguar kërkesë për anulim të tenderit.
“Fillimisht duam të sqarojmë që është i pavërtetë lajmi se ministri Maqedonci ka dërguar letër tek kryeministri Kurti përmes së cilë gjoja ministri thekson se refuzon të nënshkruaj kontratën e furnizimit me ushqim me operatorin e ri ekonomik. Një letër e tillë nuk është dërguar. Me udhëzimin e ministrit Maqedonci dërguar të premten e datës 11 tetor, tenderi është anuluar, për shkak të kontestit që ekziston ndërmjet grupit të operatorëve të shpallur fitues, njëri nga të cilët ka dërguar dhe personalisht kërkesë për anulim të tenderit. Kjo pasiguri ligjore e prodhuar me këtë rast ka bërë që ministri Maqedonci të mos e nënshkruaj kontratën, e që rrjedhimisht një tender i tillë i panënshkruar nuk prodhon asnjë pasojë juridike apo financiare”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.
Tutj,e kanë shkruar se kjo Ministri për herë të parë, ka inicuar procedurat për ngritjen e kapaciteteve vetanake.
“Pavarësisht asaj që po tentohet të paraqitet në publik përmes përhapjes së lajmeve të pavërteta, ritheksojmë se ministria e mbrojtjes për herë të parë ka inicuar procedurat për ngritjen e kapaciteteve vetanake. Gjersa çdo kazermë aktualisht ka të angazhuar kuzhinierët e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Qendrës Studentore, me datën 10 tetor në ëeb faqen e ministrisë së mbrojtjes është hapur konkursi për pranimin e stafit profesional të kuzhinerëve. Me pranimin e personelit prej 106 personash kjo problematik do t’i përkas së kaluarës”, thuhet në vazhdim.
Ndër të tjerash, në reagimin e tyre thuhet se mosvazhdimi i kontratës me operatorin e deritanishëm s’do të thotë paralizim i ofrimit të këtij shërbimi./Njeshi/