Ministria për Europës dhe Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka thënë se është duke ndjekur me vëmendje fenomenin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, veçanërisht në Medvegjë.
Përmes një komunikate për media, kjo ministri ka thënë se ky veprim përbën një shkelje të të drejtave të njeriut dhe të standardeve për mbrojtjen e pakicave, duke privuar sipas tyre, shqiptarët nga qasja në shërbime bazë dhe ushtrimi i të drejtave të tyre themelore.
“Pasivizimi i adresave nuk është një çështje thjesht ligjore, por ka pasoja mbi jetën e përditshme të shqiptarëve në këtë rajon, duke cenuar të drejtat dhe barazinë e tyre” – thuhet në reagim.
Ministria ka thënë se ka adresuar dhe do të vazhdojë të adresojë këtë çështje në dialogun me autoritetet serbe, si dhe në forume ndërkombëtare.
“Përmes angazhimit të saj të vazhdueshëm, Shqipëria do të vazhdojë të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe pakicave”.
Mijëra shqiptarëve etnikë nga tri komuna në Serbinë jugore, Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, u janë shënjuar adresat si “joaktive” prej autoriteteve të atjeshme serbe.
Kjo nënkupton se ata nuk mund t’i përtërijnë dokumentet e tyre të identifikimit, ose të ushtrojnë të drejtat e tyre që kërkojnë letërnjoftimet, si votimi. Çështja ka shkaktuar një mori protestash në rrugë në rajon.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka ngritur njashtu çështjen gjatë javës.
Bislimi ka shkruar në platformën X se verdikti i Gjykatës Kushtetuese të Sebrisë “legjitimon praktikën e diskriminimit sistematik të pasivizimit të adresave që po shënjestrojnë shqiptarët”.
Flora Ferati-Sachsenmaier, ligjëruese e Shoqërisë, Politikës dhe Kulturës në Universitetin e Gottingenit, ka kalkuluar se ndërmjet viteve 2012-2019, numri i votuesve shqiptarë në Medvegjë ka rënië nga 10.102 në 6.602. Ajo beson se “pasivizimi i adresave” është faktori kyç i rënies.Ferati-Sachsenmaier ka thënë se presioni nga bashkësia ndërkombëtare është i domosdoshëm për të siguruar “simetri në të drejtat e pakicave etnike në Ballkanin Perëndimor”./Njeshi/