Shoqata e Grave të Shërbimit Korrektues të Kosovës, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së, organizoi një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar përvojat dhe nevojat specifike të grave në Shërbimin Korrektues.
Shërbimi Korrektues njofton se në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues nga vendet e rajonit, organizata ndërkombëtare dhe përfaqësues të Institucioneve të Sigurisë së Republikës së Kosovës. Ndër të pranishmit ishin edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe Drejtori i SHKK-së, Ismail Dibrani.
Në njoftim thuhet se Haxhiu ka vlerësuar përfaqësimin prej 22% të grave në këtë institucion dhe bëri thirrje për përpjekje të vazhdueshme drejt arritjes së barazisë gjinore.
Ajo inkurajoi gratë të ndjekin rolet udhëheqëse, duke theksuar rolin kyç të Shoqatës së Grave në Shërbimin Korrektues në këtë proces.
Gjatë tryezës u diskutuan tema të ndryshme që lidhen me gratë në sektorin e sigurisë, sfidat me të cilat përballen ato dhe mënyrat për t’i tejkaluar. Takimi u vlerësua lart nga të pranishmit, të cilët falënderuan Shoqatën për organizimin e kësaj tryeze dhe u zotuan që takime të tilla të mbahen më shpesh për të adresuar çështjet që prekin këto fusha.
Shoqata vazhdon të jetë e përkushtuar në fuqizimin e grave brenda SHKK-së dhe në bashkëpunimin me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë./Njeshi/