Një qafore luksi e prodhuar nga marka e njohur e argjendarisë “van Cleef and Arpels”, kushton hiç më pak se 8 mijë e 900 euro.
Një që dukej të jetë si kjo, me simbolin që njihet si lule e fatit me katër fleta, ngjyrë zezë, u pa duke e bartur ministrja kosovare e drejtësisë, Albulena Haxhiu, ditë më parë.
Duke ditur se ajo dhe partia e saj janë alergjikë në luks, u kritikua nëpër rrjete sociale. Edhe gazetarët e Klanit bënë thirrje që Haxhiu të bëhet transparente dhe të tregojë të vërtetën në lidhje me këtë qafore, ku e mori, a është origjinale dhe nëse po, sa dhe kush e pagoi atë.
Ministrja u prek nga kërkesa që iu bë dhe u revanshua. Se kjo qafore që ka Haxhiu në këtë foto kushton 25 euro, është e vërtetë, pasi këtë e konfirmuan edhe në lokalin ku ajo tha se e bleu.
Por, ministrja, nuk e tregoi krejt të vërtetën për këtë qafore. Ani se tha që ajo kushton 25 euro, në një kupon fiskal që ia dërgoi Klanit, del se për të pagoi vetëm 10 euro.
Pos këtij fakti, Haxhiu bëri edhe një devjimin në tentimin e saj për t’u bërë transparente. Ajo doli në video me lulen e fatit ngjyrëbardhe, e jo të zezë, sikur e kishte më parë. Po ashtu, kjo që po e bartte të hënën, e të cilën, siç dokumentohet me kupon fiscal, e kishte blerë vetëm një orë para adresimit me video, ishte me e shkurtë se tjetra për të cilën u kritikua.
Se cili është çmimi i vërtetë i qafores së Haxhiut, mbetet mister. Nëse ajo është përnjëmend e firmës Van Cleef, ministrja e ka për borxh ta konfirmojë këtë fakt dhe të tregojë kush e pagoi.
Nëse nuk është origjinale, atëherë i bile që e para e drejtësisë po e ndihmon informalitetin në ekonomi, duke promovuar prodhime false e rrjedhimisht, po shkel ligjet e republikës së Kosovës që rregullojnë këtë fushë. /Njeshi/