25.6 C
Pec
E diel, 16 Qershor, 2024

Ministrja Haxhiu kërkon përgjegjësi për arratisjen e Sekiraqës: Të hetohen ata që e mundësuan

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar një hetim profesional dhe përgjegjësi nga ata që siç ka thënë kanë mundësuar arratisjen e Enver Sekiraqës.

Haxhiu ka thënë se Sekiraqa, që ishte i njohur për gjyqësinë e prokurorinë për krime të rënda e përsëritje të tyre, u la në arrest shtëpiak. Ajo e ka cilësuar si joprofesionale qasjen e gjyqtarëve, për çka ka thënë se në shumë raste po rezulton me trashje të krimit.

Sipas ministres së Drejtësisë, ky rast, përveç tjerash ngre dyshime edhe për përfshirje në korrupsion prandaj, thotë ajo duhet të ketë një hetim profesional dhe përgjegjësi nga ata që mundësuan këtë arratisje.

“Dikush që është i njohur edhe për publikun se lëre më për gjyqësinë e prokurorinë për krime të rënda e përsëritje të tyre lihet në arrest shtëpiak dhe kësisoj arratiset tërësisht. Kjo ndodhi edhe me Enver Sekiraqën, i cili ishte dënuar ditë më parë me burgim prej 25 vitesh për vrasjen e policit të Policisë së Kosovës. Kjo qasje joprofesionale e gjyqtarëve në shumë raste po rezulton me trashje të krimit. Herë po manifestohet me vrasje e herë me arratisje të tërësishme. Dhe ky nuk është gabim i izoluar, por veprime të shpeshta që po shndërrohen me mendësi të gjykimit e të cilat po përkthehen në stimulim të kriminelëve”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo tutje ka thënë se caktimi i masës së arrestit shtëpiak, e mosndryshimi i asaj mase, është skandal i madh. Sipas Ministres së Drejtësisë, kjo arratisje indirekt ishte paralajmëruar në seancën e shpalljes së aktgjykimit për Sekiraqën kur ai nga seanca u njoftua se do t’i ndërpritej me një vendim tjetër masa e arrestit shtëpiak për t’u kthyer në paraburgim!

“Caktimi i masës së arrestit shtëpiak, e mosndryshimi i asaj mase, është skandal i madh. Madje kjo arratisje në fakt indirekt ishte paralajmëruar në seancën e shpalljes së aktgjykimit për Sekiraqën kur ai nga seanca u njoftua se do t’i ndërpritej me një vendim tjetër masa e arrestit shtëpiak për t’u kthyer në paraburgim!

Duket që sistemin ynë gjyqësor për shkak të përvojës së mbrapshtë në mungesë të dënimit të peshqve të mëdhenj po vazhdon të mos këndellet nga gjendja e vet duke toleruar kështu arratisje e përsëritje të veprave kriminale.
Kjo gjë është tejet shqetësuese dhe do të duhej të shërbente si alarm jo vetëm për rastin specifik, por për të tilla raste në përgjithësi.

Sistemi gjyqësor ekziston pikërisht për t’i dhënë qytetarëve drejtësi e siguri, jo frikë dhe panik. Ata duhet të jenë në anën e ligjit, të të dëmtuarve dhe mbi të gjitha të interesit publik, jo në anën krimit, të fortëve e klaneve mafioze.
Ky rast, përveç tjerash ngre dyshime edhe për përfshirje në korrupsion prandaj duhet të ketë një hetim profesional dhe përgjegjësi nga ata që mundësuan këtë arratisje”, ka shkruar Haxhiu./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...