Sead Muqa – Sei dhe Dritëro Gjikolli, dy klarinetist të brezit, që tashmë i takojnë gjeneratës së mesme në muzikën pejane, janë dy figurat që me muzikën u mishëruan që të vegjël e ndërsa fatet e jetës deshën që të rriten e të ngriten në kohëra jo të lehta.
Gati si gjeneratë e moshë, Sei dhe Dritëro mësimet muzikore i ndoqën në shtëpitë-shkolla.
Përveç talentit, edukata, respekti dhe mirësjellja ndaj të tjerëve i karakterizoi përgjatë karrierës së derikëtushme, ndërsa pasluftës, jeta i ndau, duke bërë që Sei të vazhdoj karrierën në Kosovë e Dritëro në SHBA.
Ata, pas mëse 20 vitesh, këto ditë janë bashkuar në SHBA, ku Sead Muqa-Sei po qëndron për vizitë të parë, e Dritëro ndodhet prej vitesh.
Nostalgjinë, fëmijërinë dhe kujtimet për vitet e shkuara në Pejë, Dritëro dhe Sei sikur i kanë ndërthurrë në pak sekonda ekzekutim, (njëri në saks e tjetri në klarinetë), duke sjellë nga New York-u, refrenin e këngës së madhe të Danit, ‘Pejë o lule e dukagjinit’.
Peja, që njihet si qytet edhe i muzikës, evidentohet të ketë lënë nam, si për muzicinet të instrumenteve të ndryshme dhe grupe të njohura, ashtu edhe për mjeshtër të klarinetës në të gjitha periudhat e kohës. Veçohen tenori Gjelal Bakraçi, Ramiz Nallbani (i zhdukur në luftën e fundit), Xhafer Ibra e Dervish Ibra (të ndjerë), Adriatik Kartallozi, Samir Kelmendi, Muhamet Banushi-Metka, Emin Muhaxheri e të tjerë.