Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas miratimit të buxhetit të Kosovës për vitin 2025.
Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Buxheti 2025 me 3.6 miliardë euro, u miratua sot në Kuvend, dhe është për rreth 9% më i lartë sesa buxheti i vitit paraprak, ose 60% më i lartë sesa në 2020 e 50% më i lartë sesa në 2021 (vite këto kur isha kryeministër me buxhete të trashëguara të pararendësve)”.
“Ky buxhet përmban paga më të larta për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, pensionet e rritura me 20%, si dhe shtesat e fëmijëve gjithashtu të rritura”, ka shkruar Kurti.
Kreu i ekzekutivit të vendit gjithashtu ka thënë se buxheti “përmban edhe mbështetjen për bizneset, për gratë ndërmarrëse e të rinjtë që nisin karrierën. Edhe bujqit do të vazhdojnë të jenë më të mbështeturit në rajon”.
“Ky buxhet është i qytetarëve dhe për qytetarët e vendit. Është buxhet për ta rritur mirëqenien e për ta zhvilluar ekonominë”.
“Falënderoj secilin deputet e secilën deputete për votën e tyre mbështetëse. Ky është buxheti i katërt që po e miratojmë në Kuvendin e Republikës, e do të jetë i pari për mandatin që na pret. Çdoherë e më shumë, gjithnjë e më lart për të gjithë”, ka shkruar Kurti.
Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025, i cili kap vlerën e 3.6 miliardë eurove.
Partitë opozitare nuk morën pjesë në votim.
Më 11 nëntor, deputetët e kishin miratuar në lexim të parë këtë projektligj.
Vlera e projektbuxhetit për vitin 2025 është 9 për qind më e lartë se e buxhetit të vitit 2024, që kishte vlerën 3.3 miliardë euro./Njeshi/