18.8 C
Pec
E diel, 14 Prill, 2024

Miratimi i opinionit të raportueses Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE, votimi dhe hapi i radhës

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka miratuar raportin (draft-opinionin) e Dora Bakoyannis.

Raporti u miratua me 31 vota për, 4 kundër dhe një abstenim.

Raporti i ish ministres së Punëve të Jashtme të Greqisë, aktualisht raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës thotë që Asambleja i rekomandon Komitetit të Ministrave që ta ftojnë Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti në një postim në Facebook ka bërë të ditur se Kosova e ka kaluar suksesshëm votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të KiE.

Raportuesja Dora Bakoyannis

“…është miratuar opinioni i raportueses Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës. Ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit”, ka shkruar Ahmeti.

Ai shtoi se të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta.

“Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5. Suksesi i sotëm hapë rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit. Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti”, ka shkruar Ahmeti.

Zëvendësministri ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të vendit.

Pas miratimit në Komision, çështja i kalon Asamblesë Parlamentare

Pas miratimit në Komision, draft opinioni duhet të diskutohet dhe miratohet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës që pritet më 18 prill.

Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, që ishte i pranishëm në takim, ka treguar detaje nga votimit atje.

“Në Komitet deputetët ishin të ndarë. Në njërën anë, Serbia kundërshtonte dhe në anën tjetër kishte pothuajse konsensus në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës”, shkroi ai në X.

Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi i saj kundërshtohet nga Serbia.

Anëtarësimi i Prishtinës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

Mandl: Anëtarësimi i Kosovës në KiE të jetë pa kushte, s’duhet të lidhet me Asociacionin

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka shprehur qëndrimin e tij se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) duhet të bëhet pa kushte.

Mandl ka theksuar se çështja e Asociacionit nuk duhet të lidhet me procesin e anëtarësimit në KiE.

“Si qytetarë i Republikës së Kosovës ju e dini më mire sesa herë janë vendosur kushte në tavolinë kur ka qenë fjala për vendimet ndaj Kosovës, kështu ishte edhe me liberalizimin e vizave. Kështu që unë personalisht shpresoj që të mos ketë kushte shtesë për anëtarësimin në KiE së shpejti. Unë gjithashtu mendoj se duhet të diskutohet brenda Evropës nëse duhet të bëhet një hap në atë, apo në një drejtim tjetër për këtë anëtarësim. Por, sigurisht që çështja e Asociacionit është një çështje e madhe por nuk duhet të lidhet fare me Këshillin e Evropës sepse anëtarësimi në KiE duhet të jetë punë e kryer dhe të jepet sa më shpjet që të jetë e mundur”, ka deklaruar eurodeputeti. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...