27.1 C
Pec
E martë, 23 Korrik, 2024

Miratohen Projektligjet për Noterinë, KPK-në e të Këshillit për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj, përkundër pakënaqësive

Projektligji për Noterinë ka marrë dritën jeshile nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i cili të enjten u votua me shtatë vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ndryshe nga ky Projektligj, partitë opozitare patën pakënaqësi në raportet e Komisioneve kryesore për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Të njëjtin, e quan në kundërshtim me direktivat e Bashkimit Evropian.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, tha se komisioni ka pranuar një letër nga Bashkimi Evropian por që kryetari Adnan Rrustemi nuk i ka njoftuar.

“Nuk na keni tregu qe keni pranuar një letër nga BE-ja që e keni marrë më 15 maj, që thotë që ta rikonstruktoni të Komisionit të Venecias. Po beni shumë keq qe po miratoni ligje duke deformuar sistemin. Unë normalisht do ta votoj kundër”, tha Selmanaj.

Por kryetari Rrustemi tha se nuk sheh asnjë pengesë dhe do ta procedojë për miratim në Kuvend, pas votimit në këtë komision.

“Unë nuk po shoh asnjë pengesë ne i kemi shiku dhe po i trajtojmë përfundimisht i merr për bazë të gjitha. Vet mendojë që reformat të jenë më të thella”, tha Rrustemi.

Por kjo mënyrë sipas Selmanajt është e gabuar.

“LDK është e interesuar me pas reformë të mirëfilltë. Unë personalisht jam kundër, kjo mënyrë është gabim kur e kam parë qasjen e kam parë që kjo është fatkeqësi”, tha Selmanaj.

Përkundër kritikave, raporti me amendamente është miratuar me gjashtë vota.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, pyeti Rrustemin se pse Kosova për katër vite nuk ka kryeprokuror të shtetit.

“Fazën që jemi nuk jam për me lëshu materie, unë e pata vërejtjen që letrat kur vijnë nga institucionet siç janë nga BE-ja është mirë me njoftu. Kjo letër ka kuptimin e vet dhe reflekton në të ardhmen dhe Gjykatën Kushtetuese. Që katër vite nuk kemi kryeprokuror tani thoni që e kemi hequr korrupsionin”, tha Beqa.

E deputeti tjetër i pushtetit, Dimal Basha, deklaroi se nuk e ka parë letrën e dërguar nga BE-ja.

“Unë nuk e kam parë atë letër, ka qenë një grup punues dhe është mirë që po na shkruajnë letra BE-ja dhe po e nënçmoni punën e grupit të tyre. Ne po duam vetëm një sistem të drejtësisë që punon mirë”, u shpreh Basha.

Gjithashtu, aty u miratua edhe Projektligji i Këshillit për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj me nëntë vota pro e asnjë kundër.

Votimet u realizuan pas më shumë se gjysmë ore diskutime. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...