Forcat e huaja ushtarake në Kosovë kanë nisur mobilizimin për forcimin e sigurisë. KFOR ka shtuar trupat në vend, teksa pritet edhe shtimi i forcave të xhandarmërisë evropiane. Dislokimi i trupave shtesë lidhet edhe me periudhën zgjedhore. Ndërsa, sa i përket veriut, nga EULEX thonë se situata është edhe më tej e brishtë.
KFOR ka nisur shtimin e trupave në Kosovë, derisa edhe forca të xhandarmërisë nga Franca, Italia e shtete tjera gjatë ditëve në vijim pritet të mbërrijnë në vend.
Mobilizimi për shtimin e sigurisë po bëhet për të evituar ndonjë eskalim të mundshëm të situatës gjatë periudhës zgjedhore, e në mbështetje të misionit të KFOR-it dhe EULEX-it.
Nga EULEX kanë thënë për RTK-në se janë duke monitoruar të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e vendit.
“Njësia Rezervë e Policisë së Specializuar do të vendoset për të adresuar nevojën e Misionit për forca shtesë në terren për të mbështetur më mirë homologët kosovarë, duke marrë parasysh gjithashtu periudhën e ndjeshme zgjedhore ? duke përfshirë veprimin si reaguesi i dytë i sigurisë së Kosovës, nëse kërkohet dhe është e nevojshme. RFPU do të kryejë patrullim të dukshëm dhe do të kontribuojë në ndërgjegjësimin për situatën e Misionit. Situata e sigurisë në veri të Kosovës është stabile por e brishtë. EULEX-i mbetet vigjilent dhe monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës”, ka thënë EULEX.
Njohës të sigurisë thonë se i gjithë ky shtim i trupave është i përkohshëm në mënyrë që situata gjatë zgjedhjeve të jetë nën kontroll.