32.5 C
Pec
E hënë, 22 Korrik, 2024

MPJ e Gjermanisë: Pasivizimi i adresave bën që të zvogëlohet numri i pakicës shqiptare në Serbi

Disa deputetë në Bundestagun gjerman dhe Ministria e Jashtme shprehën shqetësime mbi praktikën e pasivizimit nga autoritetet serbe kundër pakicës shqiptare në jug të Serbisë.

Në një përgjigje për DW, Ministria e Jashtme gjermane ka shprehur shqetësimet e saj për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.në jug të Serbisë: “Fenomeni i të ashtuquajturit ‘pasivizim’ përshkruan masa që pengojnë qasjen e shqiptarëve etnikë në jug të Serbisë në shërbimet publike. Të prekurve u vështirësohet regjistrimi në vendbanime ose në marrjen e një letërnjoftimi. Shpesh raportohen raste ku organet i çregjistrojnë banorët, pas kontrolleve të bëra enkas, kur ata janë me pushime, në udhëtime, ose nuk janë në banesë për disa ditë. Riregjistrimi ka pengesa të mëdha. Kjo bën që të zvogëlohet numri i anëtarëve të pakicës që janë të regjistruar,” thuhet në përgjigje.

Në kundërshtim me obligimet ligjore

Ministria e Jashtme gjermane kujton se kjo tendencë bie ndesh me obligimet e Serbisë për respektimin e të drejtave të pakicave: “Këto të drejta janë të garantuara si me Kushtetutë dhe me Ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare. Veç kësaj, Serbia ka ratifikuar Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës. Tendenca e ‘pasivizimit’ të popullsisë shqiptare etnike në jug të Serbisë është në kundërshtim me këto obligime ligjore.”

Ministria e Jashtme dhe Ambasada në Beograd janë në kontakt të rregullt me përfaqësuesit e pakicës shqiptare, bëhet e ditur nga MPJ e Gjermanisë. Edhe Këshilli i Evropës e monitoron situatën e pakicës shqiptare në jug të Serbisë. Komisioni Evropian ka parashikuar në kapitullin negociues me kandidaten e BE-së 23 disa masa për mbrojtjen e pakicës shqiptare, përfshirë një plan veprimi për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Në kuadër të dialogut shoqëror mes qeverisë serbe dhe pakicës shqiptare, janë dakorduar disa masa, ku përfshihet edhe një plan për integrimin e anëtarëve të pakicës shqiptare në sektorin publik dhe në institucionet shtetërore në nivel komunal (2023-2026), sqaron MPJ gjermane. “Zbatimi i këtyre planeve kërkon ende një monitorim të saktë nga BE dhe Këshilli i Evropës.”

Situata e shqiptarëve në jug të Serbisë kërkon më shumë vëmendje

Sipas një studimi të Institutit Max-Planck nga viti 2023, në vitet e fundit mijëra shqiptarë nga Lugina e Preshevës janë fshirë nga regjistrat pa dëshirën e tyre. Riregjistrimi është shumë i komplikuar. Disa kanë paraqitur tani padi kushtetuese.

Kohët e fundit, një delegacion i shqiptarëve nga Lugina e Preshevës ishte në Gjermani, i udhëhequr nga Shaip Kamberi, deputeti shqiptar në parlamentin serb, për të tërhequr vëmendjen e Berlinit për situatën e shqiptarëve në jug të Serbisë.

Knut Abraham (CDU/CSU) i tha DW se informacionet janë “shqetësuese”: “Kjo përfshin situatën ekonomike, por edhe fshirjen e adresave nga regjistrat e votuesve, në të cilat dyshohet se janë të përfshira autoritetet shtetërore,” tha Abraham, i cili është gjithashtu anëtar i Këshillit të Evropës. Politikani i FDP-së, Thomas Hacker, i tha DW -së se situata e pakicës shqiptare në Serbi “meriton më shumë vëmendje ndërkombëtare”. Aktualisht, fokusi është shumë i përqendruar në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo bën që çështje të tjera po aq të rëndësishme të mbeten në hije.” Për më tepër, Hacker theksoi se “procesi i pasivizimit duket si një proces gradual i heqjes së të drejtave.” Serbia duhet të zbatojë planin e veprimit për përfaqësimin më të mirë të pakicës shqiptare në institucionet lokale: “Serbia është angazhuar për këtë dhe duhet të përmbushë detyrimet,” tha Hacker. Ai shtoi se duhet gjetur një zgjidhje edhe për të rinjtë që kanë përfunduar studimet në Prishtinë: “Sukseset e Procesit të Berlinit duhet të vlejnë edhe për pakicat në Serbi,” tha politikani./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...