Institucionet përkatëse të Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjekoligjore për identifikimin dhe verifikimin e trupit të pajetë të personit të vrarë në Lloznicë të Serbisë, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.
Ministria nuk ka përmendur emrin e të vrarit, por KOHA ka raportuar se trupi është i Faton Hajrizit. Këtë e ka thënë edhe avokati Arianit Koci, i angazhuar nga familja e Faton Hajrizit.
“Pas mbërritjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Në orët e para të së premtes, trupi është sjellë në Kosovë. Në pikën kufitare në Merdar kishin dalë në pritje familjarë e shokë të Hajrizit.
Hajrizi raportohet se u vra më 19 korrik në afërsi të kufirit mes Serbisë dhe Bosnjës. Një ditë më herët, ai dyshohet se ka vrarë një polic serb dhe ka plagosur një tjetër. Faton Hajrizi qe arratisur nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik. /Njeshi/