0.4 C
Pec
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Muhaxheri akuzoi opozitën për Ujësjellësin e Lugut të Baranit, i përgjigjet Kelmendi i VV-së

Gazmend Muhaxheri – kryetar i komunës së Pejës, me një deklaratë për opinion ka akuzuar opozitën në këtë komunë, duke thënë se eksponentë të partive politike rivale po bëjnë presion të paprecedent mbi prokurorinë me qëllim pengimin e përfundimit të projektit të ujësjellësit për 18 fshatrat me rreth 20 mijë banorë, të ë Lugut të Baranit, Lozhanit, Grabocit dhe të Dobërdolit.

Deklarata e plotë:

Të dashur qytetarë të Lugut të Baranit, Lozhanit, Grabocit dhe të Dobërdolit!

Dëshiroj t’ju informoj se eksponentë të partive politike rivale po bëjnë presion të paprecedent mbi prokurorinë, me qëllim pengimin e përfundimit të projektit të ujësjellësit për 18 fshatrat tuaja, me rreth 20 mijë banorë. Ky projekt është jetik për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe për zhvillimin e vazhdueshëm të zonës në të cilën jetoni ju.

Ndërhyrjet politike, të cilat synojnë të pengojnë finalizimin e këtij investimi, janë të papranueshme dhe shkelin të drejtat tuaja themelore për qasje në ujë të pijshëm.

Ne si drejtues të Komunës së Pejës jemi të përkushtuar në realizimin e këtij projekti, i cili është në interesin tuaj dhe të të gjithë komunës sonë.

Ju siguroj se do të vazhdojmë të angazhohemi për t’i dhënë fund këtij pengimi të padrejtë dhe do të garantojmë furnizimin e qëndrueshëm me ujë, ashtu siç e meritoni.

Mbështetja juaj është e rëndësishme në këtë proces. Së bashku do të kalojmë edhe këtë sfidë.’-thuhet në deklaratën e kryetarit Gazmend Muhaxheri.

Kësaj deklarate nga opozita i është kundërpërgjigjur kryetari i ‘Vetëvendosje’-s në Pejë, zv/Ministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Taulant Kelmendi.

Postimi i plotë:  

‘Të dashur qytetarë të Lugut të Baranit, Lozhanit, Grabocit dhe Dobërdolit!

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri me deklaratën e tij të mëhershme drejtuar subjekteve politike, duke aluduar në presion mbi prokurorinë për të ndalur ujësjellësin për 18 fshatrat tuaja, me rreth 20 mijë banorë, ka bërë një veprim të pamatur, emocional dhe pa sens logjik.

Nëse dikush bën presion mbi prokurorinë, denoncimi duhet të bëhet me emër e mbiemër, të publikohet dhe të adresohet.

Në projektin për furnizim me ujë të pijshëm për banorët e Lugut të Baranit, Lozhanit, Grabocit dhe Dobërdolit nuk ka rival, as pozitë dhe as opozitë. Nuk ka asnjë kundërshtar përveç vetes së tij dhe veprimeve të tij të pamatura. Ndërmarrja Publike “Hidrodrini” në korrik i ka ndarë 150 mijë euro buxhet për këtë qëllim dhe të gjitha institucionet janë të gatshme të ofrojnë mbështetje.

Kjo fushatë duke ju konsideruar një pre të lehtë për mashtrim është e papranueshme. Këtë qasje e ka ndërtuar nga fushatat e tij të kaluara me premtime të njëjta.

Qytetarët e Komunës së Pejës nuk mund të jenë vazhdimisht subjekt i kësaj qasjeje manipulative. Është lodhur vetë dhe i ka lodhur të gjithë!’-shkruan Taulant Kelmendi i VV-së, në kundër reagimin ndaj akuzave të kryetarit të Pejës Muhaxheri./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...