Kryetari i Pejës ka besim se institucionet e drejtësisë do t’i ndërmarrin “të gjitha hapat e nevojshëm” lidhur me rastin e sulmit ndaj tij mëngjesin e së shtunës.
Gazmend Muhaxheri i tha T7 se institucionet e drejtësisë e kanë në dorë t’i përcaktojnë “shkaqet dhe motivet e plota të sulmit”.
“E vlerësojmë vendimin e Gjykatës Themelore për caktimin e masës së paraburgimit si një hap të rëndësishëm drejt zbardhjes së këtij rasti. Kemi besim të plotë që institucionet e drejtësisë do të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të vënë para drejtësisë çdo person të përfshirë. Aktualisht, hetimet janë në zhvillim dhe është në dorë të organeve të drejtësisë për të përcaktuar shkaqet dhe motivet e plota të sulmit”, tha ai.
Gjykata Themelore e Pejës ua caktoi nga një muaj paraburgim të pandehurve K.L. dhe D.L., të cilët akuzohen për “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “lëndim i lehtë trupor”.
Prokuroria Themelore në Pejë të dielën e kërkoi masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, duke përmendur rrezikun e arratisjes së tyre e ndikimin në dëshmitarët që do të intervistohen.
Prokuroria tha gjithashtu se “ekziston edhe rreziku se të njëjtit mund ta përsërisin veprën penale”, duke përmendur këtu faktin që “shtëpia e të dëmtuarve dhe të dyshuarve nuk është shumë në largësi të madhe”./Njeshi/