23.1 C
Pec
E enjte, 20 Qershor, 2024

Mundësia e përsëritjes së një 24 shtatori, Ulutash: KFOR-i është përforcuar me rreth 1,000 trupa

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka thënë se misioni ushtarak që ai drejton po vëzhgon nga afër zhvillimet sa i përket aspektit të sigurisë pas që ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ditë më parë kishte alarmuar duke thënë se Serbia ka vendosur tri brigada afër kufirit me Kosovën.

Në një intervistë me shkrim për KosovaPress, Ulutash tha se ai është në kontakte të rregullta me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, me të cilin është takuar në Beograd para disa ditësh.

“KFOR-i po vëzhgon nga afër zhvillimet, të cilat janë të rëndësishme për stabilitetin rajonal, dhe misioni ynë është i vendosur për të vazhduar zbatimin efektiv të mandatit tonë të OKB-së për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, dhe për t’u përshtatur me çdo zhvillim që mund të ndikojë në stabilitetin rajonal”, tha Ulutash.

Ndërkaq, i pyetur se nëse ka rrezik të përsëritet sulmi i 24 shtatorit në Banjskë, Ulutash tha NATO ka përforcuar misionin e KFOR-it, duke vendosur rreth 1,000 trupa shtesë në Kosovë

Ai tha se përforcimi, që është më i madhi në dekadën e fundit, tregon “gatishmërinë të përshtatemi me shpejtësi dhe në mënyrë efektive me çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë dhe se KFOR-i ka mjetet për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tij të OKB-së, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.

Komandanti i KFOR-it shtoi se falë vendosjes së trupave shtesë është arritur aktiviteti i tyre në veri të Kosovës, duke trefishuar patrullimet, përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative.

Ulutash gjithashtu ritheksoi se objektivi kryesor i tyre mbetet parandalimi i përshkallëzimit të situatës së sigurisë, duke thënë se janë të përgatitur dhe të pajisur “për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit tonë të OKB-së”.

Sa i përket numrit të ushtarëve të KFOR-it, ai tha se dislokimi shtesë i zbatuar nga KFOR-i e sjell fuqinë e tij totale në mbi 4800 trupa, gjë që i mundëson KFOR-it të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të OKB-së në mënyrë efektive.

“Objektivi ynë parësor mbetet parandalimi i përshkallëzimit dhe, për rrjedhojë, ne po ndjekim nga afër çdo zhvillim përkatës të sigurisë përmes një qëndrimi të dukshëm dhe fleksibil, me patrulla të rregullta dhe angazhime me komunitetet lokale. Në rast të rritjes së tensioneve, ne jemi të përgatitur dhe të pajisur për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit tonë të OKB-së. Dislokimi shtesë i zbatuar nga KFOR-i e sjell fuqinë e tij totale në mbi 4800 trupa, gjë që i mundëson KFOR-it të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të OKB-së në mënyrë efektive”, tha ai/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...