Qeveria e Kosovës ka miratuar sot buxhetin për vitin 2025, e cili do të jetë 3 miliardë e 600 milionë euro, apo rreth 9% më i lartë se buxheti i këtij viti.
Ministri i Financave, Hekuran Murati duke folur për dizajnimin e këtij Projektbuxheti, bëri të ditur se procesi i përgatitjes së buxhetit ka filluar në maj të këtij viti.
“Sa i përket zhvillimeve të fundit makroekonomike dhe pritshmëritë për mbylljen e vitit 2024 që informon edhe dizjanimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, mund të them që edhe pse në shumicën e ekonomive në botë shqetësim kryesor ka qenë niveli i lartë i konsumit ne kemi arrit ta stabilizojmë inflacionin përmes masave mbështetëses për qytetarët”, tha Murati.
Murati theksoi se mesatarja e inflacionit deri në muajin shtator të këtij viti ka shënuar rënie 1.9% duke shfaqura tendencë rënëse krahasuar me vendet tjera të rajonit.
Ministri shtoi se ekonomia e vendit në gjysmën e parë të këtij viti ka vazhduar zgjerimin duke arritur rritje mesatare prej 4.9%.
“Kjo rritje është pasqyrim i zgjerimit të konsumit privat por edhe rritjes së investimeve publike. Rritja e ekonomisë së Kosovës gjatë këtij pritet të jetë rreth 4.5% në terma real”, tha Murati.
Murati më tej theksoi se të hyrat buxhetore kanë vazhduar performancën e tyre të jetë të kënaqshme, ku për periudhën janar-shtator 2024 kanë shënuar rritje prej më shumë se 7.1%, ku krahashuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar i bie rreth 150 milionë euro më tepër.
“Sa i përket projeksioneve për vitin e ardhshëm, përditësimi i projeksioneve tona e konfirmon vazhdimin e rritjes ekonomike. Tani që kemi ngadalësim dhe uljen e normës së inflacionit nën nivelin 2% aq sa është edhe targeti i Bankës Qendrore Evropiane, mund të them që ekonomia e vendit tonë po i kthehet ritmit të potencialit të rritjes ekonomike e që për vitin e ardhshëm presim të jetë 5.6% në terma real”, tha Murati.
Ai shtoi se për vitin 2025 të hyrat pritet të jenë në vlerë 3 miliardë e 305 milionë euro dhe kontribuuesit kryesor do të jenë politikat mbështetëse tatimore për sektorin privat, administrimi më i mirë i tatimeve nga ATK dhe Dogana dhe hapa tjerë për uljen e aktivitetit in formal si parakusht për konkurrencë të drejtë.
“Sa i përket anës së shpenzimit të buxhetit është 3.6 miliardë euro apo rreth 9% më i lartë se buxheti i këtij viti”, tha Murati./Njeshi/