Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti, tha të dielën se çështja e doracakut me edukimin seksual, janë një “fushatë propaganduese dhe përpjekje për krijimin e kauzave të paqena”.
Sipas Kurtit, doracakët nuk janë pjesë e kurrikulave shkollore, as tekste obligative për nxënës.
“Doracakët në fjalë, asnjëherë nuk kanë qenë kurrikulë, as tekste shkollore, as lëndë obligative, as tekst obligativ apo tekst për nxënës”, shtoi Kurti.
Mustafa, në një postim në Facebook publikoi një status të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila kishte njoftuar në dhjetor të 2023-ës, për doracakun në fjalë.
“Në kuadër të javës së promovimit të shëndetit në shkolla me temën “Edukimi seksual gjithëpërfshirës në shkolla, vizitova Gjimnazin “Sami Farashëri”, në Prishtinë. Me ç’rast bashkëbiseduam me nxënës, mësimdhënës dhe përfaqësues të Këshillit të Prindërve të Kosovës”.
Tutje, ministrja kishte thënë se MASHTI ka krijuar politika të përshtatshme duke bërë ndryshime praktikën Kurrikulën e Kosovës.
“Grupi i MASHTI-t, në bashkëpunim me ekspertë të IKSHPK-së, ekspertë të kurrikulave, ka hartuar doracakë për mësimdhënësit, të cilët do të ndihmojnë ata në trajtimin e këtyre çështjeve’”, kishte deklaruar Nagavci.
Sipas saj, gjatë 2023-ës, janë trajnuar 2400 mësimdhënës në të gjitha komunat e Kosovës, bazuar në lëndët që trajtojnë shëndetin seksual riprodhues./Telegrafi/