Lidhja Demokratike e Kosovës s’ka dashur të komentojë Exit Pollet e publikuara sapo u mbyllën vendvotimet në ora 19:00.
Zëdhënësi Besian Mustafa tha se nga Exit Polli që kjo parti ka realizuar, LDK rezulton se ka dyfishuar rezultatin.
“Nuk po i komentoj exit pollet e të tjerëve. LDK ka realizuar një EXIT poll me 18 mijë rezidentë, ku LDK rezulton të ketë dyfishuar rezultatin. Sa i përket diasporës, do të ketë minimumi një rritje 2 deri në 3 për qind”, tha Mustafa.
Mustafa beson se Abdixhiku do të jetë Kryeministër i ardhshëm i Kosovës.
“Jam i bindur që Abdixhiku do të jetë Kryeministri i Ardhshëm i Kosovës”, tha zëdhënësi i LDK-së, ndërsa nuk pranoi të komentonte se për kë kanë vija të gjelbërta e të kuqe.
Ai i bëri thirrje komisionerëve që të vazhdojnë të mbrojnë votën e qytetarëve.
“I bëjmë thirrje komisionerëve që të vazhdojnë ta mbrojnë deri në fund të procesit”, tha Mustafa./Njeshi/