21.1 C
Pec
E shtunë, 13 Prill, 2024

NATO stërvitje masive me nëndetëse në Mesdhe

NATO ka filluar në Detin Mesdhe një stërvitje masive kundër nëndetëseve. Operacioni pranë brigjeve të Siçilisë është bërë edhe më urgjent për shkak të kërcënimeve ndaj aleancës, ndërsa konfliktet në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme janë shtrirë në Detin e Zi me sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe në Detin e Kuq me sulmet ndaj anijeve nga rebelët huthi.

Helikopterët qëndronin mbi det ndërsa një nëndetëse e madhe dilte me ngadaltë nga deti pranë Katanias, në Siçili dhe disa anije të marinës monitoronin operacionin.

Në bordin e anijes komanduese, kundëradmirali amerikan Thomas Wall, komandant i njësive me nëndetëse të NATO-s, u duk se foli me gazetarët për të siguruar aleatët evropianë, në një periudhë kur kandidati republikan Donald Trump ka vënë në pikëpyetje përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen e vendeve aleate.

“Jo vetëm që po bëjmë këtë stërvitje të madhe, por njësitë tona detare po punojnë gjithashtu së bashku në të gjitha frontet. Stërvitja ‘Steadfast Defender’, stërvitja më e madhe e NATO-s prej dekadash po vazhdon në Atlantikun e Veriut. Në planin detar, sapo përmbushëm pjesën me zjarr luftarak, një demonstrim i qartë i unitetit dhe fuqisë sonë transatlantike”, tha kundëradmirali Wall.

Ish-presidenti Trump ka thënë se nëse rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, nuk do të mbronte vendet e NATO-s që nuk plotësojnë shpenzimet për mbrojtjen. Komentet e tij shkaktuan alarm në Evropë.

Shtatë nëndetëse të NATO-s nga Greqia, Franca, Italia, Spanja, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara marrin pjesë në stërvitjen komplekse pranë brigjeve të Siçilisë.

Mjetet detare që marrin pjesë në stërvitjen “Dynamic Manta 24”, shkëmbejnë rolet duke gjurmuar njëra-tjetrën, ndërsa koordinohen nga afër me mjetet ajrore dhe detare për të përmirësuar kapacitetet në dyluftimin në det.

Objektivi kryesor është përgatitja e ekuipazheve të NATO-s për t’u përshtatur dhe për t’iu përgjigjur çfarëdolloj kërcënimi që vjen nga nëndeti.

“Sot përballemi me mjedisin më të rrezikshëm dhe më të paparashikueshëm të sigurisë në dekada. Dimensioni nënujor është thelbësor për sigurinë në dete. Është pjesë ende jo e eksploruar mirë, por jetike për të gjitha vendet përreth Detit Mesdhe”, tha Alberto Tarabotto, komandant i marinës italine.

Nëndetëset veprojnë nën drejtimin e Komandës së Nëndetëseve të NATO-s dhe ndihmohen nga avionët për patrullimin detar nga Kanadaja, Gjermania, Greqia, Turqia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe nga mjete detare të Grupit të Dytë Detar të NATO-s, të komanduar nga kundëradmirali italian Pasquale Esposito.

“Është një stërvitje që përqëndrohet tek një formë beteje me kërcënimet që vijnë nga mjetet nënujore”, tha kundëradmirali Esposito.

Marina italiane është organizatore e stërvitjes dhe ofron mbështetje logjistike nga baza detare në Augusta, nga porti i Katanias dhe baza ajrore në Sigonella. Italia merr pjesë në manovra me fregatën Carlo Margottini, fregatën Morosini që kryeson Grupin e Dytë Detar të NATO-s, dy nëndetëse dhe dy helikopterë. Stërvitja do të vazhdojë deri më 8 mars./voa/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...