Ka vdekur doktori dhe profesori i njohur nga Mitrovica, Adem Nura.
Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë djali i tij, Driloni. Ceremonia e varrimit do të mbahet sot në ora 16:30, në fshatin Dashec të komunës së Skenderajt.
Për vdekjen e tij ka shkruar shoku i tij, profesori Enver Hasani, i cili ndau disa nga kujtimet që kishte me të.
Hasani tha se lajmin për vdekjen e tij e mori papritur dhe shkroi se largimi i tij do të lë një boshllëk.
Postimi i plotë i Hasanit.
I dashur Doktor Adem, miku im i shtrenjtë,
Lajmi për ndarjen tënde nga kjo jetë më erdhi krejt papritur sot. Nuk po mund ta besoj! Para një jave menduam se operimi kishte shkuar aq mirë, shpresonim të të shihnim të rikuperuar brenda pak javësh. Por ja që kjo jetë ka fillimin dhe fundin e saj, ndonëse ky fund, kësisoj, mbetet i pabesueshëm dhe i rëndë.
Kur mora lajmin e dhimbshëm për shkuarjen tënde në amshim, i dashur doktor Adem, më erdhën ndër mend ditët e netët pa fund që kaluam bashkë, me ty dhe me shokët tanë. Zëri yt i thellë, kumbues, me jehonë si e vargjeve homerike, buzëqeshja jote e qashtër si e heronjve të eposit shqiptar, dhe këngët që na këndoje shpesh, kudo ku ishim: në Mitrovicë, Korçë, Vlorë, Shkup e gjetiu.
Largimi yt, Doktor Adem, lë një boshllëk që askush nuk mund ta mbushë në zemrat tona. E di që familja jote, Nurija, djemtë, vajzat, vëllezërit e të afërmit, ndiejnë dhimbjen më të thellë, por edhe tronditja jonë është e pafundme.
Herën e fundit që u pamë, në spital, një javë më parë, na the se ishe mirë dhe se me ne pranë nuk ndieje asnjë shqetësim. Qehren e kishe të kthjellët, o Adem Nura! Si ndodhi kështu, kaq papritur, që na le? Sa bukur dukej fytyra jote pas operimit, buzëqeshja që nuk mungonte kurrë, zëri yt origjinal, fjalët gjithmonë të zgjedhura. Na le me lot në sy, me kujtime të pambarim, me veprën tënde të ndritur që s’e ka askush tjetër.
A ka ndodhur gjë në Mitrovicë e në Kosovë që ti nuk ke qenë aty? Doktor, me lot në sy, më kujtohen ditët e fundit të Jugosllavisë, vrasjet e djemve e vajzave tona, të cilët pak kush guxonte t’i çonte për shërim në spitalin e Mitrovicës, përveç teje dhe Doktor Bajram Rexhepit, që edhe ai na la herët. Po kur doli UÇK-ja dhe nevoja për mjekë ishte aq e madhe? Sa e sa herë i ke shërbyer luftëtarëve të lirisë me duart e tua të arta. Po studentët e Anatomisë në Universitetin e Prishtinës, çfarë do të thonë për ty, përveçse fjalët më të zgjedhura?
Disa kolegë të tu më telefonuan sot, Doktor, të tronditur, duke shpresuar që lajmi të mos ishte i vërtetë. Por, me lot në sy, u thashë se kjo është e vërteta jonë e hidhur.
I dashur Doktor Adem, mungesa jote do ndihet thellë mes shokëve, familjes tënde mbi të gjitha, Nurisë, djemve dhe vajzave, Mitrovicës dhe gjithë Kosovës. Do të të kujtojmë me shumë mall, kur dhimbja dhe tronditja të lëshojnë vendin për kujtimet. Vepra jote do të shërbejë si dritë në rrugën tonë të përbashkët, shpesh të përthyer e të vështirë, dhe do të mbetesh shembull i përjetshëm për të gjithë ne.
I lehtë qoftë dheu i Kosovës, i Dashevcit të lindjes tënde.
Me shumë mall,
Enveri me familje. /Njeshi/