Një foshnje e porsalindur ka ndërruar jetë të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Shkaqet e vdekjes së foshnjës nuk dihen ende. Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj.
Ndrejaj bëri të ditur se janë duke e analizuar shkaktarët e mundshëm të vdekjes së foshnjës, dhe se fryti e placenta tashmë janë dërguar për autopsi.
“Ne shkaqet ende nuk i dimë, ka shkaqe të shumta që mund ta shkaktojnë vdekjen. Jemi duke e hulumtuar, kemi mbledhur analizat dhe deklaratat e mjekëve që kanë qenë kujdestar. Dyshohet se mos është edhe ndonjë infeksion. Për autopsi e kemi dorëzuar frytin dhe placentën dhe po presim rezultatet”, ka thënë Ndrejaj.
Ai shtoi se nëna e foshnjës duket se pas pasur probleme gjatë shtatzanisë, dhe se kjo ka qenë lindja e saj e tretë.
“Si duket ajo ka pas pak probleme gjatë shtatzënisë. Gjendja e pacientes është mirë, është duke u trajtuar për shkak të një infeksioni që ju ka shfaq. Lindja është kryer me operacion”, u shpreh Ndrejaj.
Ndryshe, pasi Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, janë intervistuar palët e përfshira, babai i foshnjës, si dhe mjekët në Gjinekologji.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti si ‘Hetim i vdekjes’. /Njeshi/