
Presidenti i Klubit të Hendbollit, ‘Besa Famgas’, Fadil Idrizi, është ndarë nga jeta.
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur sot, Klubi i Hendbollit ‘Besa Famgas’.
Në njoftim nuk janë treguar hollësi për moshën dhe ceremoninë lamtumirëse.
Njoftimi i plotë:
‘Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të presidentit të klubit KH Besa Famgas, Fadil Idrizi.
Kryesia klubit, lojtarët dhe i gjithë stafi shprehim ngushëllime për familjen Idrizi, ndërsa të ndjerin do ta kujtojmë e falenderojmë gjithmonë për sakrificën dhe përkushtimin ndaj klubit!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty President!’-thuhet në njoftimin e klubit.
I ndjeri Idrizi ka mbajtur postin e presidentit të klubit pejan, Besa Famgas, që për kohë shumë të gjatë ka dominuar në hendbollin tonë.
Besa Famgas nën drejtimin e të ndjerit dhe familjes Idrizi ishte shembull i organizimit, ndërsa prej këtij mjedisi dolën dhe vazhdojnë të dalin shumë lojtarë cilësorë.
Fadil Idrizi ka kontribuuar për klubin Besa Famgas që prej vitit 2004.
Në emër të komunitetit kosovar të hendbollit, familjen e nderuar Idrizi e ka ngushëlluar edhe presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci.
“Kontributi i të ndjerit Fadil Idrizi për klubin Besa Famgas dhe rrjedhimisht për gjithë hendbollin kosovar është i çmuar dhe do të respektohet gjithnjë. Familja Idrizi mbeti pa një anëtar të rëndësishëm, klubi Besa Famgas pa presidentin e tij shembullor, ndërsa ne si komunitet i hendbollit pa një kontribuues të madh”, ka shkruar Kolgeci./Njeshi&RADIO 1/
Zbulohet Pllaka e martirëve të pagjetur të fshatit Rashiq, Ali Berisha: E gjatë ishte rruga e Lirisë