Në moshën 73 vjeçare, është ndarë nga jeta këtë të Premtë, Rrustem Gjocaj, solist shumëvjeçar i shoqërive të ndryshme kulturo-artistike të qytetit të Pejës.
Si pjesë e kolegtivit të punës në Fabrikën e Autopjesëve ‘Ramiz Sadiku’, ku edhe ka operuar në sektorin e shërbimit kadrovik, gjatë viteve të 80-ta, i ndjeri Rrustem Gjocaj, si dashamirë i këngës popullore, inkuadrohet në SHKA ‘Ramiz Sadiku’ të këtij gjigandi të kohës, ku bashkë me këngëtarë poashtu tani të ndjerë, Shuajb Nallbani e Mahir Vokshi, realizon edhe regjistrimet e para në Radio-Televizionin e Prishtinës.
Veçohet regjistrimi i këngës ‘Dil njëherë moj vashë e bukur’.
Përgjatë viteve të okupimit serb, edhe Rrustem Gjocaj sikur shumë të tjerë, angazhohet në shoqëri e duete të shumta të Pejës, bashkë me këngëtarë e muzicient si Vëllaznim Lata, Muhamet Krasniqi, Xhevdet Krasniqi e të tjerë.
Pas luftës së fundit, në Kosovën dhe Pejën e lirër, i ndjeri Gjocaj, pranon ftesë dhe angazhohet si solist i SHKA ‘Marigona e Pejës’, ku bashkë me vëllëzërit Sinani, (Caki & Baki), Besim Bardhin e të tjerë si dhe orkestrinën e kësaj shoqërie realizojnë regjistrime të shumta muzikore, të këngëve të njohura popullore-qytetare.
I ndjeri Gjocaj, është shquar për butësinë dhe sjelljen pozitive me të gjitha gjeneratat.
Rrustem Gjocaj, i lindur në vitin 1951, u nda nga jeta sot, pas një sëmundjeje të shkurtër dhe trajtimit spitalor disa ditor në QKUK dhe Spitalin e Përgjithshëm Rajonal të Pejës. Ai ndërroi jetë pranë gjirit familjarë në shtëpinë e tij në Pejë, ndërsaqë lamtumira e fundit, pritet ti ipet këtë të Diel, më 13 Tetor 2024, në ora 16:00, në varrezat e qytetit.
Lajmin për vdekjen e tij, e kanë pritur me pikëllim, artist, këngëtarë e muzicient të Pejës si dhe Shoqëritë kulturo-artistike të qytetit, të cilat edhe kanë shprehur ngushëllime, si SHKA ‘Marigona e Pejës’ ku i ndjeri ishte i angazhuar deri në periudhën e fundit të jetës, SHKA ‘Sofra Pejane’, SHKA ‘Përparimi’, Okteti ‘Peja’ dhe të tjerë.
Familjes së të ndjerit, kolegëve, miqve dhe komunitetit artistik me këtë rast u shprehë ngushëllime edhe ‘RADIO 1’ dhe Portali ‘Njeshi’./Njeshi&RADIO 1/