Janë ndaluar për të tretën herë më radhë punimet në sheshin “Xhorxh Bush” në kryeqytet.
Ndalimi i punimeve për projektin 18.4 milionë euro u bë nga organet e trashëgimisë kulturore.
Komuna e Prishtinës ende nuk ka siguruar lejen nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) për projektin e sheshit “Xhorxh Bush”.
Fillimisht para ndalimit të punimeve pati një përplasje verbale mes Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore dhe zyrtarëve të Komunës së Prishtinës.
Nënkryetari i Prishtinës, Shkëmb Manaj tha se Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve është fajtor për situatën që është.
“Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve është fajtor pse ne jemi sot këtu sepse nuk është duke e kryer punën e vet, nuk po e shqyrton kërkesën e komunës por po bënë politikë. Po e realizojmë këtë shesh për interes të qytetarit”, tha Manaj.
Drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Imer Hakaj, tha se ka tejkalim të autorizimeve.
“Urojmë që nga sot ata të qëndrojnë edhe jashtë orarit dhe të kryejnë punën e vet. Kjo komunë ka dërguar një kërkesë dhe obligohet të pres kërkesën për plotësim të dokumentacionit dhe të tërhiqet prapa, sepse është kaluar në personale. Kanë nisur që të më shkruajnë njerëzit edhe privatisht. Ju garantoj që asnjëherë askush nga niveli qendror nuk më ka thirrur. Jo me këtë qasje nuk kam ardhur të shtyhem personalisht. Për çdo gjë ju ftoj për vendimin, sipas hartave që i kemi, jemi të njoftuar që ka tejkalim të autorizimeve”, tha Hakaj.
Një ditë më parë, Komuna e Prishtinës rifilloi punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, me gjithë ndalimin dy herë të punimeve nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.
Mosmiratimi i projektit lidhet kryesisht me planin për ndërtime të reja që, sipas IKMM-së, cenon integritetin e monumenteve përreth. Në një shkresë zyrtare të dërguar Komunës, IKMM ka kërkuar që lënda për pajisje me leje të plotësohet me dokumentacionin përkatës dhe të rishikohet ndikimi i projektit në trashëgiminë kulturore./Njeshi/