Ndërmarrja Publike “Pastrimi” Sh.A. ka reaguar sot ndaj deklaratave të fundit të Kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama, duke ofruar një sqarim publik lidhur me sfidat financiare dhe menaxhimin e ndërmarrjes.
Në reagim thuhet se ndërmarrja vlerëson çdo formë të mbështetjes institucionale që kontribuon në përmirësimin e kushteve të punës dhe funksionimin e qëndrueshëm të shërbimeve për qytetarët, por theksohet se gjendja aktuale financiare është e ndikuar drejtpërdrejt nga moszbatimi i Rregullores për menaxhimin e mbeturinave, e miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.
“Në kundërshtim me këtë rregullore, qytetarët janë udhëzuar publikisht të bëjnë pagesat jo në kompaninë ‘Pastrimi’, por në llogari të Komunës, çka ka pamundësuar arkëtimin e të hyrave të nevojshme për funksionim që nga janari 2025”, thuhet në komunikatë. Si rezultat, borxhet e papaguara kanë arritur në 2.7 milionë euro
Sipas ndërmarrjes, më 2 maj 2025, Kryeshefi Ekzekutiv i “Pastrimi” Sh.A. i është drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Komunës me kërkesë për zbatim të rregullores, duke përfshirë në komunikim edhe institucionet kompetente, në përpjekje për një zgjidhje institucionale.
Përsa i përket akuzave ndaj menaxhimit të brendshëm, ndërmarrja thotë se është vlerësuar me opinion të pamodifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit, që sipas saj përfaqëson vlerësimin më të lartë të mundshëm sipas standardeve ndërkombëtare. Pasqyrat financiare për vitin 2024 tregojnë se kompania është rikthyer nga një bilanc negativ prej -1.5 milionë euro në një operim me 5% fitim bruto.
“Pastrimi” Sh.A. thekson se këto të dhëna janë publike dhe të qasshme për çdo qytetar apo institucion të interesuar, ndërkohë që borxhi i akumuluar për shkak të moszbatimit të rregullores nga Komuna ka penguar realizimin e një pjese të obligimeve.
Në fund, ndërmarrja bën thirrje për bashkëpunim institucional, respektim të vendimeve të Kuvendit Komunal dhe mbështetje të ndërmarrjeve publike, si pjesë thelbësore e ofrimit të shërbimeve me integritet për qytetarët./Njeshi/