9.9 C
Pec
E martë, 23 Prill, 2024

Ndihmës Sekretari Robinson në Tiranë: Mbështetje luftës ndaj korrupsionit e krimit të organizuar

Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, rikonfirmoi gjatë vizitës së tij në Tiranë, angazhimin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri

Ai u takua sot me drejtuesin e Prokurorisë së posaçme kundër krimit të organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani si dhe me drejtuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj.

Sipas një njoftimi zyrtar të ambasadës amerikane, zoti Robinson, “shprehu mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e zbatimit të ligjit në luftën kundër korrupsionit dhe në rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve, transparencës dhe llogaridhënies”.

Ndihmës Sekretari Robinson pati po ashtu takime dhe me përfaqësuesë të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Akademisë së Sigurisë “për të theksuar rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe nxitjes së besimit publik”.

Gjatë takimeve me ministrin shqiptar të Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe të Brendshëm Taulant Balla, zoti Robinson theksoi “rëndësinë e ruajtjes së ritmit për reformën në drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Ai diskutoi gjithashtu bashkëpunimin e vazhdueshëm në reformën në drejtësi, përmirësimin e zbatimit të ligjit dhe dhënien fund mosndëshkimit në luftën kundër korrupsionit”./Njeshi/

 

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...