5.5 C
Pec
E diel, 21 Prill, 2024

Në 25 vjetorin e vrasjes së aktores Adriana Abdullahu, Kurti: Magjia e Adrianës jeton mes nesh

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar sot aktoren Adriana Abdullahu në 25-vjetorin e vrasjes së saj nga forcat serbe.

Ai ka thënë se me vrasjen e Adriana Abdullahut ish-regjimi serb sulmoi artin dhe artistët e Kosovës.

“Magjia e Adrianës jeton mes nesh dhe vazhdon të na frymëzojë. Adriana quhet ‘Engjëlli i Dodonës’ e teatri i qytetit të saj, Ferizajt, quhet “Teatri Adriana”. Sepse një shpirt si ai i Adrianës nuk mund të shuhet. Atë nuk e bën dot koha, nuk e lejon shoqëria, nuk e mundëson vepra dhe përvoja e saj njerëzore. E nuk do ta lëmë as ne, si udhëheqje politike e Republikës së Kosovës,” tha Kurti.

Adriana Abdullahu njihet për talentin e rrallë në aktrim, për të cilën kryeministri Kurti tha se do të jenë model i rezistencës për jetë dhe liri në vendin tonë.

“Kur e vranë, Adriana Abdullahu ishte 23-vjeҫare. Ishte një vit më e re se unë. Po të mos e vrisnin, Adriana do të ishte sot një vit më e re se unë. Mbrëmë isha në teatrin “Dodona”, dhe aty u dha një shfaqje e ciklit “Atmospheres” të Javës së Frankofonisë. Një shfaqje e shkëlqyeshme, magjepse “B+B=BB”, për figurën e Brigitte Bardot, teksa ajo eglendisej në situatat dhe veprat e historisë moderne të kulturës dhe artit francez. Shfaqjen franceze “B+B=BB”, sikur mos ta vrisnin para 25 viteve do të mund ta shikonte mbrëmë edhe Adriana Abdullahu. E vrasësi para 25 viteve nuk e ka shënjestruar Adrianën ashtu thjesht, vrasësi e ka urryer deri në vrasje një shqiptare që feston, një artiste premtuese. Nuk ka qëlluar mbi Adrianën, por ka qëlluar mbi rrethanën e saj shoqërore, mbi rrethinën e saj festive. Sikur të mos vritej Adriana para 25 viteve, do të ishin të panumërta shfaqjet ku ajo tashmë ka luajtur role e çmimet me të cilat tashmë është shpërblyer”, ka thënë Kurti.

Ai shtoi se gjeneratat e reja duhet të kenë mundësinë e njohjes së shembujve të mirë të dëshirës dhe dashurisë për të krijuar edhe në kohërat më të vështira.

“Ky është mësimi më i madh që na jep Adriana. Ajo na rikujton që arti dhe kultura ndonëse zhvillohen në kohë, nuk varen prej kohës. Na kujton që arti dhe kultura janë thelbi i rezistencës së popujve të shtypur që duan dhe arrijnë lirinë. Institucionet e Kosovës po përkujdesen vazhdimisht për të siguruar që figurat tona të artit dhe kulturës të nderohen”, ka përfunduar Kurti./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...