Në 26-vjetorin e rënies, në Rugovë të Pejës janë përkujtuar dëshmorët e kombit, luftëtarë të Brigadës 136 “Rugova”, të rënë më 18, 19 dhe 20 prill 1999.
Shumë qytetarë, në mesin e të cilëve familjarë dhe bashkëluftëtarë të të rënëve, të pranishëm në këtë përvjetor, e kanë vlerësuar lart veprën tyre në shërbim të atdheut.
“Ne iu kemi borxh këtyre burrave e trimave, këtyre dëshmorëve e martirëve që gjithmonë t’i nderojmë dhe të respektojmë punën, veprën dhe jetën e tyre. Se këta burra ishin ndër të parët që filluan organizimin e luftës në trevën e Rugovës dhe deri në momentin e fundit kur edhe e dhanë me të shtrenjtën, jetën nuk e lëshuan vendin”, tha Brahim Lajqi, familjar e bashkëluftëtar.
“Rugova gjatë gjithë historisë së saj ka qenë në ballë të përpjekjeve për komb, shtet e atdhe. edhe në luftën e fundit Rugova sikurse në shumë treva tjera e ka dhënë kontributin e jashtëzakonshëm që të vijmë këtu ku jemi, te liria e vendit tonë”, tha Ali Berisha, bashkëluftëtar.
“Këta emra do të tingëllojnë vazhdimisht në shpirtin tim sepse me vendosmëri e mbrojtjen krenarinë e të parëve, i dolën zot atdheut dhe u rreshtuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e cila u shndërrua në ushtrinë më të suksesshme nga Lidhja e Prizrenit e deri këtu”, tha Sali Lajqi, komandant i Brigadës 136 Rugova e UÇK-së.
Në shumë fshatra të Rugovës, gjatë ditës së sotme po ashtu janë përkujtuar edhe dëshmorët e kësaj treve të rënë në periudha të ndryshme të historisë./Njeshi/