8.3 C
Pec
E premte, 19 Prill, 2024

Në 4 vjetorin e vrasjes së ish ushtarit të UÇK-së, Qerim Kelmendi bëhet thirrje për drejtësi

Është përkujtuar Qerim Kelmendi, ish-ushtari i UÇK-së i cili u vra në rrethana të pasqaruara katër vite më parë në pritën e organizuar jo shumë larg shtëpisë në Llabjan të Pejës. Miq e familjarë, që e përkujtuan, bënë thirrje për drejtësi.

Vrasja e luftëtarëve të lirisë, atyre që kanë sakrifikuar jetën është vrasje e vetë lirisë, dhe mos zbulimi i këtyre vrasjeve përsëri është pajtim me vrasjen e lirisë. Kështu u shpreh profesor Binak Ulaj, në katër vjetorin e vrasjes së ish-luftëtarit të UÇK-së Qerim Kelmendi, pas nderimeve që u bënë te varri i tij në Kompleksin Përkujtimor në Gllogjan.

“Kur kam dëgjuar për vrasjen e Qerimit, një vrasje makabre që nuk ka qenë as në traditën shqiptare që të digjet edhe trupi, këtë mund ta bëjnë ata të cilët janë jo vetëm kriminelë ordiner, por janë një dorë e zgjatur e armiqve tanë shekullor. Është obligim i institucioneve tona të përqendrohen në zbulimin e vrasjes, jo vetëm të Qerimit. Kemi edhe vrasje tjera të luftëtarëve që i kanë qit hije të zezë pas – lirisë së Kosovës”, tha Binak Ulaj

Thirrje për drejtësi bënë edhe familjarët dhe bashkëluftëtarët e Qerimit.

“Është një moment kur duhet t’i bëjmë thirrje drejtësisë. Edhe Qerimi është ushtar dhe kemi të drejtë me ditë si ka ardhë puna deri këtu dhe me ardhë te e vërteta. Dhe ne si shokë nuk do të rreshtemi së kërkuari të drejtën për vrasjen e shokëve tonë”, tha Brahim Selmonaj, bashkëluftëtar.

“Le të mendojmë që çdo sakrificë e bërë për lirinë e Kosovës paraqet një dritë e cila udhëheq rrugën drejt një të ardhme më të ndritur për vendin tonë se sakrifica e babait tim, heroit tonë dhe të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për këtë vend asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kot”, tha vajza e Qerim Kelmendit.

Qerim Kelmendi u vra më 27 shkurt 2020, në pritën e organizuar jo shumë larg shtëpisë në Llabjan të Pejës. Pas vrasjes ai është gjetur i djegur në veturën e tij, por vrasësit ende nuk janë gjetur./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...