Në dyvjetorin e vdekjes së artistit që bëri kthesë dhe revolucion në RAP muzikën e pasluftës dhe ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, Arlind Gjikolli – Gjikla sot në qytetin e Pejës është kujtuar vepra dhe puna e tij.
Në nderim të veprës dhe punës së tij, Qendra Rinore në Pejë tash e tutje do të mbajë emrin e ish-artistit Gjikla.
Plaketa është vendosur sot në ora 11:00 në objektin e kësaj qendre, ku të pranishëm ishin familjarë, shokë, kolegë e pjesëmarrës tjerë.
Carrabregu falënderoi për mbështetjen në këtë iniciativë, të kreut të Pejës Gazmend Muhaxherit.
Foli edhe bashkëshortja e Gjikles, Vjosa Loci – Gjikolli.
‘Krejt ju që e kujtoni çdo ditë Arlindin, jo veç sot por çdo ditë në mënyren e juaj faleminderit. Uroj që kjo derë e kaj qendre, të hapet gjithëmonë për të rinjtë e qytetit, ashtu siç ka pasur dëshirë Arlindi, që gjeneratat e Lirikut dhe të Yllit ta shfrytëzojnë gjithëmonë këtë derë e mos ti bie pluhuri këtij objekti. Jam e bindur se edhe të gjithë ju, sot ma shumë jemi krenarë sesa të mërzitur.’-tha para të pranishmëve bashkëshortja e të njderit Gjikla, Vjosa Loci-Gjikolli.
Zbulimin e plaketës me emrin e tij, e bënë, djemtë dhe bashkëshortja e Gjikles, Liriku e Ylli dhe Vjosa, ndërsa të përmalluar por të fortë, morën pjesë, të shoqëruar nga shokë të Gjikles në këtë ceremoni edhe prindërit dhe motrat e të ndjerit bashkë me familjen e gjërë Gjikolli.
Gjikla, siç e quanin të gjithë të afërmit dhe miqtë, ishte themeluesi dhe shtylla krijuese e grupit WNC nga Peja, që zhanrin e muzikës rep në Kosovë e çoi në një stad më të zhvilluar, qoftë me tekste të angazhuara, me muzikë apo me interpretim. “Çka kom pasë”, “Qikat e mira”, “Për ty” … janë disa nga këngët e këtij grupi, që edhe sot dëgjohen dhe frymëzojnë gjeneratat e reja.
Pas grupit WNC, Gjikla ka vazhduar edhe solo-karrierën, me tekste që kundërshtonin anomalitë e shoqërisë së Kosovës. Mjafton të përmendet këtu kënga “Juda”, që godet amoralitetin në politikë, tjetërsimin e individit dhe humbjen e perspektivës dhe të shpresës. Apo, opinionin kritik, ku ndër të tjera thotë: “Pikërisht pse ti populli jem i dashtun nuk angazhohesh për shumë, as nuk merr shumë … mbetesh me pak e kënaqesh me pak”.
Arlind Gjikolli, i njohur si Gjikla ishte drejtor Menaxhues i Portalit të njohur Telegrafi.
Në ora 11:00 në Qendrën Rinore në Pejë, zbulohet Plaketa me emrin e Gjikles