Kryeministri Albin Kurti, gati në fund të mandatit qeverisës 4-vjeçar, i është kthyer projektit të Banimit të Përballueshëm, projekt ky që është premtuar të realizohet brenda këtij mandati.
Mirëpo, vendimi final për realizimin e këtij projekti erdhi vetëm sot, kur Qeveria hapi tenderin për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm, transmeton Klankosova.tv.
Ndër të tjera, Kurti thotë se ky projekt do të nisë me Pejën, Gjilanin, Podujevën dhe Istogun, ku shton që shumë shpejt do të procedohen edhe nëntë komuna të tjera, e që koha nuk premton të realizohen brenda këtij mandati qeverisës.
“Do të sigurojmë banim për të gjithë. Banim të dinjitetshëm, jo vetëm strehim”, ka shkruar Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kishte premtuar banim të përballueshëm për 4 mijë familje, në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, në vitin 2021.
Sigurimin e asaj që ky subjekt e quante “Banimi i përballueshëm” e kishte premtuar kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti, në hapjen e fushatës së këtij subjekti politik (2 shkurt)./Njeshi/