Forumi i Rektorëve të Ballkanit Perëndimor, i cili dje e sot është duke u mbajtur në Podgoricë, ndër të tjera, paraqet një ngjarje thelbësore dhe përmbajtësore për forcimin e lidhjeve dhe krijimin e aleancave universitare në rajon, duke ofruar një platformë unike për ndërkombëtarizimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe për të nxitur bashkëpunimin në fushat e arsimit, kërkimit dhe inovacionit.
Aleancat universitare në Evropë, një nismë e Bashkimit Evropian, përbëjnë bashkime strategjike mes institucioneve të arsimit të lartë që synojnë të forcojnë bashkëpunimin dhe inovacionin në arsim, kërkim dhe ndikim shoqëror. Këto aleance janë krijuar me qëllim të thellimit të integrimit ndërmjet universiteteve evropiane, duke e bërë sistemin e arsimit të lartë në kontinent më dinamik dhe të ndërthurur.
Objektivat kyç të aleancave universitare përfshijnë:
1. Rritja e mobilitetit: Synimi është të lehtësohet dhe të rritet mobiliteti i studentëve dhe stafit akademik, përfshirë shkëmbimet dhe mundësitë për stazhe dhe hulumtime të përbashkëta.
2. Zhvillimi i programeve të përbashkëta: Aleancat punojnë për të zhvilluar programe të studimit që mund të ofrojnë tituj të përbashkët ose të dyfishtë, duke integruar kurrikulat dhe burimet e ndryshme.
3. Përparimi në kërkim dhe inovacion: Bashkëpunimi ngushtë ndihmon në forcimin e kapaciteteve të kërkimit, duke ndarë ekspertizë dhe burime, dhe çon në projekte të përbashkëta që mund të kenë ndikim të madh shoqëror dhe ekonomik.
4. Ndikimi shoqëror dhe bashkëpunimi me biznesin: Aleancat zhvillojnë partneritete me sektorin privat, qeveritë dhe OJQ-të, duke adresuar sfida shoqërore dhe duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe inovacionin.
5. Roli në procesin e zgjerimit të be-së: Aleancat luan një rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të BE-së, duke ofruar universiteteve nga vendet jo-anëtare mundësi për të përmirësuar standardet dhe të integrohen në hapësirën akademike evropiane.
Universiteti “Haxhi Zeka”, deri me tani, është angazhuar në disa projekte dhe partneritete ndërkombëtare përmes departamentit për marrëdhënie ndërkombëtare, fakulteteve dhe institutit të tij. Përmes projekteve të financuara nga BE si programi Erasmus+ dhe të tjerët, universiteti ka nxitur e ka rritur ndijeshëm këmbimin akademik dhe ka rritur cilësinë e arsimit dhe kapacitetet e kërkimit.
Rëndësia e anëtarësimit në Aleancat Universitare për Universitetin “Haxhi Zeka”:
Anëtarësimi në këto aleance është jetik për rritjen e cilësisë dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të ofruar nga Universiteti “Haxhi Zeka”. Ky anëtarësim do të mundësonte shkëmbimin e njohurive dhe përvojave me institucione të tjera të arsimit të lartë, duke iu ofruar studentëve dhe stafit perspektiva dhe ekspertiza ndërkombëtare. Gjithashtu, pjesëmarrja në projekte të përbashkëta dhe rrjete të kërkimit do të ndihmonte në rritjen e kapaciteteve shkencore dhe akademike të universitetit, duke e bërë atë më konkurrues në arenën ndërkombëtare.
Më në fund, anëtarësimi në aleancat universitare evropiane do të rriste reputacionin dhe vizibilitetin e Universitetit “Haxhi Zeka”, duke e pozicionuar atë si një aktor kyç në zhvillimin e arsimit dhe kërkimit në rajon dhe më gjerë. Kjo hapje ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar do të ishte një hap i madh përpara për universitetin dhe për studentët e tij, duke u hapur rrugë mundësive të reja edukative dhe profesionale që vijnë si rezultat i këtij angazhimi global./Njeshi/