Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se sot kanë vendosur gurthemelin e objektit të ri të nënstacionit policor te vendi i njohur si Ura e Bistricës së Leposaviqit.
Sveçla thotë se objekti i ri e modern do të jenë në shfrytëzim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Në vazhdën e përmirësimit të infrastrukturës së sigurisë dhe kushteve të punës së Policisë së Kosovës, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, vendosëm sot gurthemelin e objektit të ri të nënstacionit policor te vendi i njohur si Ura e Bistricës së Leposaviqit. Objekti i ri e modern do të jenë në shfrytëzim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët nga ky vend, po shërbejnë prej gati dy vitesh në luftimin e çdo kriminaliteti, mbrojtjen e kufirit tonë e për sigurinë e përgjithshme të Republikës sonë”, ka pohuar ai.
Tutje, ai ka shkruar se “nga 1 zyre që kemi gjetur në dispozicion të ruajtjes së kufirit me Serbinë sot kemi 9 nënstacione me polic të përkushtuar e në shërbim të Republikës sonë”.
“Do të vazhdojmë pa u ndalur në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve tona për të përballur me sukses çdo sfidë që mund të na dalë përpara”, ka theksuar ai. /Njeshi/