Në territorin e Komunës së Malishevës ka nisur fushata e korrje-shirjeve të grurit, e cila po zhvillohet me rendimente të larta sipas të dhënave fillestare
Sipas njoftimit, kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati, ka ndjekur nga afër këtë proces duke vizituar fermerë dhe kombajnerë në terren.
Gjatë takimeve, ai i ka uruar për punën dhe i ka inkurajuar që të vazhdojnë me kultivimin e grurit, duke theksuar rëndësinë e këtij produkti për sigurimin e bukës së përditshme.
“Gruri është produkti më i begatë që jep toka jonë, dhe këtë e dëshmojnë edhe rendimentet e këtij viti, që po arrijnë mbi 4,000 kilogramë për hektar. I inkurajoj të gjithë bujqit që të mbjellin grurë, pasi përmes tij sigurojmë edhe bukën tonë të përditshme”, tha kryetari Kastrati gjatë vizitës në fshatin Banjë, tek fermeri Beqir Elshani.
Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Sylë Dukolli, gjithashtu konfirmoi se rezultatet e para janë premtuese, me rendimente që variojnë rreth 4,000 kilogramë për hektar, në varësi të kushteve të terrenit. Ai bëri të ditur se në territorin e Komunës së Malishevës janë mbjellë mbi 4,000 hektarë me grurë, sipas të dhënave nga aplikimet për subvencione.
Për të siguruar mbikëqyrjen e fushatës së korrjes së grurit, është formuar Komisioni Komunal për përcjelljen e këtij procesi, i cili do të jetë aktiv gjatë gjithë kohës deri në përfundimin e fushatës./Njeshi/