19.1 C
Pec
E hënë, 29 Maj, 2023

Në Pejë u nderua lavdia e Ahmet Gjikollit, sot në 24 vjetorin e rënies heroike

Me homazhe dhe nderime tek përmendorja e tij, në qendër të Pejës, është shënuar sot 24 vjetori i rënies heroike të Dëshmorit të kombit Ahmet Gjikolli nga Peja, i rënë më 7 Maj 1999, në betejën e Çabratit në mbrojtje të qytetit të Gjakovës.

Familjarë, shokë e bashkëluftëtarë të Ahmetit, kanë kujtuar dhe nderuar veprën heroike të tij, nëpër të gjitha betejat e rrafshit të dukagjinit e deri në betejën e tij të fundit në Çabrat, ku edhe ra heroikisht në përballje diversante me forcat okupatore serbe.

Një delegacion i degës së AAK-së, të prirë nga Dr. Ali Berisha-kryetar, Fatmir Gashi-n/Kryetar, Dr. Arbër Tolaj dhe të tjerë, bashkë me familjen Gjikolli i bënë homazhe dhe nderime Ahmetit të skalitur në bronzë në qendër të Pejës.

I shoqëruar nga nëna e Dëshmorit, Shemsija, Berisha vuri lule të freskëta tek përmendorja e Ahmetit.

Me homazhe dhe nderime përfaqësuan edhe një delegacion i lartë nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’ e Pejës, të prirë nga kryetari i saj në këtë komunë, Taulant Kelmendi si dhe Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Në emër të këtij subjekti, lule të freskëta për Ahmetin, vendosi Deputetja Mulhaxha-Kollçaku.

Nuk munguan as bashkëluftëtarë e bashkëluftëtare të Ahmetit, që nga Gjakova erdhën për të nderuar sakrificën sublime të luftëtarit.

Lule të freskëta vendosën edhe mbesat e dëshmorit.

Ahmet Gjikolli ka qenë ushtar i dalluar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që nga ditët e para të luftës, duke u rreshtuar dhe shërbyer në Zonën e III-të Operative të Dukagjinit, nën komandën e Ramush Haradinajt, (ish-kryeministër i Kosovës dhe kryetar i AAK-së).

Ahmet Gjikolli vie nga një familje punëtore me tradita të lashta qytetare pejane, e njohur për ndershmëri.

Sipas ushtarakut Hekuran Hoda, Ahmeti do binte në fushën e nderit me fjalët, ‘Liri ose vdekje’. Ahmeti drejtpërdrejt në aksion ishte nën komandën e Komandantit Agron Kryeziu.

Sipas një evokimi kujtimesh për emisionin ‘Fresku Veror’ të TV ‘Dukagjini’-t (tashmë emision platformë e ‘Radio 1’ dhe portalit ‘Njeshi’ me autor Fitim Behlulin, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, duke folur në cilësinë e Komandantit të zonës së III-të Operative të UÇK-së, Ahmetin do ta kujtonte si shpirt luftarak që asnjëherë nuk pranonte të shpallej i humbur.

“Ahmeti,  në aksionin në të cilin ka rënë, ka kërkuar të jet’ vullnetarë. Ka qenë terr, natë,  kur’ e kam dhënë urdhërin për të hyrë në Gjakovë në mbrojtje të popullatës civile. Pasi terreni ishte i rrezikshëm, ushtarët i kam qit’ në rresht, ju kam shpjegu se për çfarë bëhet fjalë dhe kam pyetur se a ka vullnetarë. Në rresht ishin kryesisht djem nga Gjakova dhe Peja. Morali kishte rënë pak. Ahmeti (zhuti siç e kemi qujatur edhe në luftë), ngriti dorën e pari, dhe kur po them i pari, dijeni se ju them sinqerisht i pari. Nuk e di se çka kam ndjerë, e njohë vetën për të përmbajtur, pra shumë herë ja kam bërë vdekjes me sy, por besoni, se aty nuk e di … e kam afruar pranë vetës, i kam dalur përballë dhe e kam shiku në sy.Në fakt e ndjeja se ai çast ishte  takimi dhe përshëndetja e fundit me të. Pra UÇK po hynte në qytet dhe ishim të vetëdijshëm, se na pret përballje e fortë, plus asaj porosia ishte që të kemi kujdes sepse në qytet kemi civil të pambrojtur. Pas Ahmetit janë rreshtuar edhe disa djem tjerë të Gjakovës dhe i kemi nisur. Ka nis kanga, e kemi pas si zakon, kur puna nuk ishte mirë, ja thonim asaj, ‘Ku po shkon moj zanë …’. Koordinatat ishin të qarta poaq sa edhe rreziku ishte i madh. Pra vetëdija dhe patriotizmi i Ahmetit dhe atyre djemve ishin shumë të larta, sepse po shkonin për të shpëtu civil.”-kujton Haradinaj.

Ahmet Gjikolli fillimisht ishte varrosur në Çabrat, ndërsa pak ditë pas çlirimit të Kosovës dhe Pejës, më 3 Korrik të vitit 1999, ishte rri-varrosur me nderime të larta ushtarake në kompleksin e varrezave të Dëshmorëve në Pejë. -Peja e çliruar atëkohë drejtohej nga Et’hem Çeku-kryetar.

Arkivoli me trupin e pajetë të Ahmet Gjikollit – bartet nga Ushtria UÇK

Familjarët, Nëna Shemsija në mes, majtas Nagip Gjikolli, në anën e djathtë vëllau Agoni
Gjeneral Daut Haradinaj drejton ceremoninë ushtarake

Moment prekës – toga e Ushtrisë nderon me tërheqje – familja çmallet – Gjyshi i Ahmetit, Arif Gjikolli, mbi arkivolin e nipit


Në vitin 2022, Presidenti i Republikës së Shqiperisë Ilir Meta, ka ndarë dekoratë për tre familje pejane, bijtë e të cilave kanë rënë dëshmorë në luftën e vitit 1998/1999 në Kosovë.

 

Ceremonia e nderimit u bë para shumë anëtarëve të këtyre familjeve në pallatin presidencial në Tiranë.

Medaljet presidenciale u ndanë për familjen e Ahmet Gjikollit, Shpetim Bojkut e Jusuf Kelmendit.

Nga viti 2015, Ahmet Gjikolli pushon në bronzë në përmendoren e ngritur në qytetin e lindjes, tek Sheshi ‘Skënderbeu’, bashkë me tre dëshmorët e tjerë, Shpëtim Bojku, Muharrem Kelmendi dhe Jusuf Kelmendi./RADIO 1&Njeshi/

 

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...