Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në prag të festimit të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në adresimin e tij, kryeministri tha se “Nuk janë të rralla rastet që mblidhemi në këtë datë, këtu në ngjarjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, për të përkujtuar ngjarjen tonë më të madhe, atë të themelimit të subjektivitetit të kombit shqiptar. E megjithatë, ky tubim ka gjithnjë të njëjtin emocion”.
Ai përmendi dy momente të veçanta për reflektim e përshtypje. Së pari, tha se sot e kemi shumë të lehtë të jemi bashkë me njëri tjetrin, gjersa para jo më larg se tri dekadash, ky tubim, nuk mund të imagjinohej, dhe kjo për tri herë më shumë dekada gjithsej.
“Ishte koha e sakrificave dhe dhimbjeve të mëdha për shqiptarët në të dy anët e kufirit”, u shpreh ai.
Së dyti, përmendi Aktin e Pavarësisë që u nënshkrua nga patriotët në 28 Nëntorin e motit 1912, që doli se nuk ishte thjesht akt, por program që do të shtrihej në një shekull e më shumë.
“U nënshkrua pra një program që, për me u përfytyru dhe për me u realizu, kërkonte ndihmën e një projekti tjetër, atë të Sami Frashërit në ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet’. Që e paraprinte dhe vijon ta pasojë me dimensionin aktual të tij”, shtoi ai.
Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri i ftoi të gjithë që ta festojmë e ta përkujtojmë këtë datë me idenë se Ismail bej Vlora dhe patriotët na shohin neve nga e ardhmja dhe presin që ne ta realizojmë sa më drejt e sa më mirë e sa më mbarë atë udhë që na e kanë përcaktuar me ngritjen e flamurit në Vlorë.
“Rilindasit tanë, janë në të kaluarën tonë dhe na shikojnë nga e ardhmja jonë. Në të kaluarën e tyre e kishim Skënderbeun, e në të ardhmen Adem Jasharin. Dhe pikërisht, qenia e jonë e përbashkët, në të tashmen, i bën ata të jenë e kaluara e jonë e përbashkët, dhe njëkohësisht e ardhmja që na pret të bashkuar”, përfundoi ai.
Urimin për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri Kurti e shoqëroi edhe me urimin për përvjetorin e 15-të të Shqipërisë në NATO, dhe hapjen e negociatave në rrugën e pandalshme drejt Bashkimit Evropian. /Njeshi/