27.8 C
Pec
E enjte, 25 Korrik, 2024

Nëndetësja amerikane mbërrin në Gjirin e Guantanamos

Një nëndetëse e marinës amerikane ka mbërritur në Gjirin e Guantanamos, Kubë, në një shfaqje force, ndërsa një flotë luftarake ruse mblidhet për stërvitjet e planifikuara ushtarake në Karaibe.

Komanda Jugore e SHBA-së tha se ‘USS Helena’, një nëndetëse sulmi e shpejtë me energji bërthamore, u vendos në ujërat pranë bazës amerikane në Kubë të enjten, vetëm një ditë pasi një fregatë ruse, një nëndetëse me energji bërthamore, një cisternë nafte dhe një rimorkiator shpëtimi kaloi në Gjirin e Havanës pas stërvitjeve në Oqeanin Atlantik.

Ndalesa është pjesë e një “vizite rutinë portuale”, ndërsa nëndetësja udhëton nëpër rajonin e Komandës Jugore, thuhet në një postim në mediet sociale.

Anije të tjera amerikane gjithashtu kanë ndjekur dhe monitoruar stërvitjet ruse, të cilat zyrtarët e Pentagonit thonë se nuk përfaqësojnë një kërcënim për Shtetet e Bashkuara.

“Kjo nuk është një surprizë. Ne i kemi parë ata të bëjnë këto lloj thirrjesh portuale më parë”, tha të mërkurën zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh, kur u pyet për stërvitjet ruse. “Ne sigurisht e marrim seriozisht, por këto ushtrime nuk përbëjnë kërcënim për Shtetet e Bashkuara.”

Stërvitjet, megjithatë, vijnë më pak se dy javë pasi presidenti Joe Biden autorizoi Ukrainën të përdorë armët e ofruara nga SHBA për të goditur brenda Rusisë për të mbrojtur Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Presidenti rus, Vladimir Putin, më pas sugjeroi se ushtria e tij mund të përgjigjet me “hapa asimetrike” diku tjetër në botë, njofton AP.

Singh tha se nuk do të ishte befasi të shihje më shumë aktivitet rus rreth Shteteve të Bashkuara në stërvitje të tilla globale. Stërvitjet janë në ujërat ndërkombëtare dhe zyrtarët amerikanë presin që anijet ruse të qëndrojnë në rajon gjatë verës dhe ndoshta të ndalojnë edhe në Venezuelë.

Anijet ruse janë ankoruar herë pas here në Havanë që nga viti 2008, kur një grup anijesh ruse hynë në ujërat kubane në atë që media shtetërore e përshkroi si vizitën e parë të tillë në pothuajse dy dekada. Në vitin 2015, një anije zbulimi dhe komunikimi mbërriti pa paralajmërim në Havana një ditë përpara fillimit të diskutimeve midis zyrtarëve amerikanë dhe kubanë për rihapjen e marrëdhënieve diplomatike. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...