Konservatorët e kancelarit të ardhshëm të Gjermanisë, Friedrich Merz, dhe Partia Socialdemokrate e qendrës së majtë, e nënshkruan të hënën formalisht marrëveshjen për koalicion, në prag të fillimit të punës së Qeverisë së re gjermane të udhëhequr nga ta.
Merz, 69 vjeç, do të betohet të martën si udhëheqës i ri i vendit me ekonominë më të madhe në Evropë, duke i dhënë fund një ngërçi politik gjashtëmujor në Berlin.
Aleanca CDU/CSU e udhëhequr nga Merzi dhe partneri në koalicion, Partia Socialdemokrate (SPD), janë zotuar se do ta ringjallin ekonominë e dobësuar dhe se do ta rindërtojnë ushtrinë në një kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vënë në dyshim të ardhmen e sigurisë dhe lidhjeve tregtare transatlantike.
Merz gjithashtu është zotuar se do ta frenojë emigracionin e parregullt dhe se do ta ndalë rritjen e partisë kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli në vend të dytë në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit.
AfD-ja u shpall të premten “grup ekstremist i krahut të djathtë” nga shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë – një veprim që ka nxitur një përplasje të re me administratën Trump, dhe kundër të cilit AfD-ja nisi veprime ligjore të hënën.
Nënpresidenti amerikan, JD Vance, e përshkroi AfD-në – e cila, si Trump, ka bërë fushatë kundër emigracionit – si “partinë më popullore në Gjermani”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi veprimin e agjencisë gjermane të inteligjencës si “tirani të maskuar”.
Që nga zgjedhjet e shkurtit, AfD-ja ka qenë në garë të ngushtë me CDU/CSU-në në sondazhe dhe herë pas here në avantazh.
Qeveria në largim e kancelarit të SPD-së, Olaf Scholz, u shpërbë më 6 nëntor, në ditën kur Trump u rizgjodh president amerikan.
Vetë Scholz nuk do të jetë pjesë e kabinetit të ri, por do të qëndrojë në parlament si deputet.
Dhoma e ulët e Parlamentit të Gjermanisë do të mblidhet nga ora 09:00 të martën për një seancë në të cilën pritet që deputetët ta zgjedhin Merzin si kancelarin e 10-të të Gjermanisë moderne.
Pasi kreu i shtetit gjerman, presidenti Frank-Walter Steinmeier, ta ketë konfirmuar votimin, Merz pritet ta bëjë betimin në mesditë./Njeshi/