15.8 C
Pec
E enjte, 10 Korrik, 2025

Nesër përpjekja e 34-të për konstituimin e Kuvendit, a po bëhet Kosova peng i postit të kryeparlamentarit

Që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt, ku Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë, PDK e dyta dhe LDK e treta, institucionet e reja ende nuk janë krijuar. Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë kanë bërë betimin si deputetë, mirëpo Kuvendi i ri ende nuk është konstituar.

Kjo ngërç ka ardhur pasi LVV ka propozuar Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares, por subjektet e tjera parlamentare kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e saj. Fillimisht, procesi i votimit për kryetaren e Kuvendit ishte i hapur, por më pas kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, vendosi që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë. As votimi i fshehtë nuk ka prodhuar rezultat.

Të martën u shënua edhe dështimi i 33-të i seancës për konstituimin e Kuvendit, ndërsa seancat po vazhdojnë të mbahen çdo 48 orë.

Njohësit e çështjeve politike në vend kanë shprehur shqetësimin e tyre për bllokadën e krijuar në Kuvend.

Melazim Koci, analist politik, në një deklaratë për media tha se bllokada institucionale ka marrë përmasat e një marrëzie politike.

“Ajo është duke dërguar mesazh shumë të keq në botë, në një çast shumë delikat në arenën ndërkombëtare. Bllokada institucionale në Kosovë nga (ar)miqtë e Kosovës nuk ka si të interpretohet ndryshe pos si paaftësi e shqiptarëve të Kosovës për të jetësuar kompromis, pragmatizëm dhe rrjedhimisht edhe mungesë e aftësive shtetndërtuese. Për një demokraci të etabluar me dekada kjo bllokade nuk do të kishte efekte negative, por për Kosovën si demokraci e re dhe në tranzicion, ajo është shumë e dëmshme dhe e rrezikshme, sepse zbehë kredencialet shtetërore të Kosovës. Uroj që udhëheqja e Kosovës këtë ta kuptoj sa më parë dhe t’i vë në plan të parë interesat shtetërore të Kosovës dhe jo ato partiake”, theksoi ai.

Ndër tjera, ai tha se për situatën e krijuar përgjegjëse është partia më e madhe në parlament, por edhe subjektet tjera politike, ish-opozitare.

“Përgjegjësia më e madhe i bie partisë së parë që ka numrin më të madh të deputetëve në Parlament. Ajo (VV) mund të propozoj një emër tjetër dhe kriza të tejkalohet. Përgjegjësi është edhe ish – opozita, sepse edhe ata mund ta votojnë zonjën Haxhiu dhe t’i kontribuojnë tejkalimit të krizës. Mjerisht, të dy palët janë kurthuar në kalkulime meskine, sepse as njëra dhe as tjetra nuk kanë shumicën. Dy palët thuajse presin që dikush nga jashtë të vij dhe të propozoj tejkalimin e krizës. Kjo nuk do të ndodhi, sepse ndërhyrje nga jashtë nuk do të ketë. Kosova përfundimisht duhet të mësohet të zgjidh kontestet e brendshme me bisedime dhe kompromise. Nëse nuk do të ketë reflektim nga të gjithë, kjo situatë mund të zgjasë edhe shumë kohë”, ka pohuar Koci.

I pyetur se çfarë vendimi pret nga Gjykata Kushtetuese lidhur me kërkesën e AAK-së për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e votimit të fshehtë për kryeparlamentaren, Koci u shpreh pesimist lidhur me ndonjë vendim që mund ta marrë kjo Gjykatë.

“Nga Gjykata Kushtetuese nuk pres asgjë, sepse para nisjes së seancës së Parlamentit është vendosur për votim të hapur. Gjykata Kushtetuese këtë vendim nuk mund ta ndryshoj. Këtë vendim mund ta ndryshoj vetëm një shumicë parlamentare, por jo Gjykata Kushtetuese.

Madje nuk pres rezultate as nëse Presidentja ose një grup i deputetëve e dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese çështjen tjetër të të drejtës për propozim dhe zgjedhje te kryetarit/kryetares të Parlamentit. Kushtetuta e jonë është e mangët në këtë çështje. Neni 67 i Kushtetutës i jep te drejtën partisë/grupimit të parë për të propozuar kryetaren/kryetarin e Parlamentit, por nuk e shpjegon se çfarë dhe si te veprohet nëse partia e parë nuk e ka shumicën dhe sa kohe ka në disponim partia e parë. Këtë çështje Gjykata Kushtetuese nuk mund ta zgjidhë ose ta zbërthejë, sepse kjo pastaj do të ishte amandamentim i Kushtetutës. Amandamentimin e Kushtetutës mund ta bëjë vetëm Kuvendi. Rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese është me duar të lidhura rreth këtyre dy çështjeve dhe nuk mund të ndihmoj”, nënvizoi ai.

Edhe Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se situata e krijuar është për keqardhje.

“Është për keqardhje mungesa e vullnetit politik të partive politike për të arritur marrëveshje politike për të bërë konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për formimin e qeverisë. Sikurse, është e pakuptimtë dhe qasje jo institucionale mënyra se si Kryesuesi i seancës konstituive Dehari po abuzon me udhëheqjen e seancës duke ndërruar mënyrën e votimit”, tha ai.

Ai shtoi tutje se LVV është dashur të reflektojë dhe ta ndërrojë kandidatin për postin e kryeparlamentarit.

“Kur kanë kaluar më shumë se katër muaj nga dita e zgjedhjeve dhe kur Kuvendi i Kosovës ka dështuar për më shumë se 33 herë të kaloj propozimin e LVV për të votuar kandidaten për kryeparlamentare. Një parti politike serioze dhe që ka në qendër interesat e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës, do të reflektonte duke ndryshuar kandidatin për kryeparlamentar për të i hapur rrugë konstitituimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimin e qeverisë ashtu sikurse po proklamojnë se i kanë votat për formimin e qeverisë”, potencoi ai.

Miftaraj shtoi tutje se “Nëse kjo qasje e VV vazhdon do të vijmë në një situatë ku Albin Kurti përtej mandatit 4 vjeçar si Kryeministër i Kosovës si e parasheh Kushtetuta dhe ligji do të jetë Kryeministri i parë që këtë mandat mbase të shtyje deri afër mandatit pesë vjeçar”.

Ndryshe, deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të udhëhequr nga Time Kadrijaj dhe të përkrahur nga 10 deputetë të tjerë, kanë dorëzuar që më shumë se një muaj më parë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese.

Ata kërkojnë shqyrtimin e kushtetutshmërisë së mënyrës së formimit të këtij komisioni gjatë seancës konstituive të Kuvendit, që u mbajt më 5 maj 2025.

AAK ka shprehur shqetësime lidhur me procedurat e ndjekura, duke vënë në dyshim përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, Zyra për Media e Gjykatës Kushtetuese ka konfirmuar për Telegrafin se rasti është ende në shqyrtim.

Në një përgjigje zyrtare, Gjykata ka bërë të ditur se ende nuk është marrë ndonjë vendim.

“Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes së parashtruar në kërkesë dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Ndryshe, të enjten do të mbahet edhe seanca e radhës ku do të ketë përpjekje për konstituimin e Kuvendit/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...