shkruan: Arilda Lleshi
Të premten në mbrëmje, Kosova u godit nga një tjetër sulm terrorist.
Kanali i Ibër-Lepencit, që përdorej për ftohjen e termocentralëve dhe për furnizim me ujë të pijshëm, u hodh në erë, me qëllimin për të dëmtuar infrastrukturën energjetike dhe ujësjellëse të Kosovës dhe destabilizuar vendin.
Këto taktika janë të marra nga manuali rus i ‘masave aktive’ që përmes akteve të dhunës kërkojnë të hutojnë publikun e të përgatisin skenën për lëvizje të tjera. Ato dështojnë kur ekspozohen.
Qeveria e Kosovës e ka vendosur me shpejtësi situatën nën kontroll. Ajo që ne mund dhe duhet të bëjmë është të ndërgjegjësojmë për çka ndodh në Kosovë e t’i dënojmë këto sulme.
Ballkani nuk do të ketë paqe përderisa Serbia ta çlirojë veten nga haluçinacionet e saj se ajo paskërkësh një të drejtë hyjnore e historike mbi trojet ku jetojnë e kanë jetuar me shekuj shqiptarët, troje që i kemi larë me gjak për t’i mbrojtur. Shteti shqiptar ka një detyrim moral e ligjor për ta mbrojtur shtetin e Kosovës. Politika shqiptare në 3 dekadat e fundit, në rastin më të mirë, ka patur qëndrime sipërfaqësore në lidhje me Kosovën dhe në rastin më të keq ka punuar kundër saj, duke e dobësuar pozicionin e saj. Na duhet një politikë e re në Shqipëri karshi Kosovës, që mbron thellësisht interesat e saj, që janë tonat, dhe forcon shqiptarët në rajon.
Me ty Kosovë, zemër e shqiptarisë./Njeshi/