5.2 C
Pec
E enjte, 13 Shkurt, 2025
https://www.njeshi.com/wp-content/uploads/2024/04/Radio-1-1.png

Nga sot diplomati danez Peter Sorensen është zyrtarisht emisar i dialogut Kosovë-Serbi

Nga sot zyrtarisht në krye të dialogut Kosovë-Serbi do të jetë diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen.

Danezi merr detyrat e tij nga sot me një mandat fillestar prej 13 muajsh.

Por, për dallim nga Lajçak, Sorensen është i ngarkuar nga Bashkimi Europian vetëm për dialogun pa çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, si dhe fokusi i tij primar do të jetë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Në njoftimin e KE’së, që është shpërndarë edhe nga Zyra e BE’së në Kosovë, thuhet se detyrat e tij përfshijnë lehtësimin e procesit të dialogut që do të kontribuojë në normalizimin gjithspërfshirës të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe në veçanti zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj.

“Detyra e Përfaqësuesit të ri të posaçëm do të jetë që ta lehtësojë dialogun, i cili do të kontribuojë në normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, dhe në veçanti në implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimnit, dhe aneksin e zbatimit të saj, të miratuar në shkurt dhe mars të vitit 2023. Zoti Sorensen do të nisë punën e tij më 1 shkurt 2025, me një mandat fillestar prej 13 muajsh“, thuhet në njoftim.

Aty theksohet përvoja e gjërë e Sorensen, e theksohet ajo në Ballkanin Perëndimor.

“Ai shërbeu nga viti 2011-2014 si Përfaqësues Special/Shef i Delegacionit të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe gjithashtu ka mbajtur pozita si ambasador dhe shef i delegacionit të BE-së në Shkup dhe shef i delegacionit në Gjenevë. Në këtë të fundit, z. Sørensen përfaqësoi BE-në në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, duke përfshirë edhe si përfaqësues të Unionit në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftim.

Aktualisht ai është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.

Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.

Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.

ara nisjes së takimit në Bruksel të kryediplomatëve, ku Sorensen u konfirmua, ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, tha se me zgjedhjen si emisar të diplomatit nga Danimarka, po dërgohet mesazhi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet lart në agjendën e bllokut evropian.

Në fund të njoftimit, përshkruhet roli që kanë emisarët e Bashkimit Evropian.

“Përfaqësuesit Specialë të BE-së promovojnë politikat dhe interesat e BE-së në rajone dhe vende të caktuara, si dhe çështjet me interes ose interes të veçantë për BE-në. Ata luajnë një rol aktiv në përpjekjet për të konsoliduar reformat, stabilitetin dhe sundimin e ligjit. Përfaqësuesit e parë Specialë të BE-së u emëruan në vitin 1996. Aktualisht, njëmbëdhjetë Emisar mbështesin punën e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas”, përfundon njoftimi./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...